Sveçla i kërkon Serbisë t’ia dorëzojë Kosovës sulmuesit e ikur

(Lajm i përditësuar)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës personat që sulmuan Policinë e Kosovës, që siç tha ai, t’iu pergjigjen autoriteteve të drejtësisë për aktet terroriste.

Sveçla ka treguar se nga aksioni i së dielës, të paktën 6 terroristë kanë mbetur të plagosur dhe po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit.

 


Gjenden dokumente të Radojçiqit në veturat që u përdoren në Banjskë

Ministria e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se janë gjetur dokumente që dëshmojnë pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, në sulmet e së dielës në veri, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sveçla ka thënë para mediave se brenda objektit të Manastirit të Banjskës janë gjetur edhe harta e plane që shfaqin planin për sulm.

“Këto harta e dokumente janë dëshmi që s’kemi të bëjmë me grupe lokale, por me organizime terroriste…Kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojçiq që dëshmojnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në këtë aksion. Ai është nënkryetari i Listës Serbe e tashmë e dimë që Lista Serbe është ngushtë e bashkërenduar me Vuçiqin. Harta e këtij plani është më e qartë se kurrë. Nga kjo sasi e madhe e armatimit kuptohet se ka pasur plan të përfshirjes së qindra personave për destabilzimin e rajonit”, ka shtuar ai.

Sipas ministrit, plani ishte i mirëmenduar, derisa ka theksuar se autoritetet e Kosovës s’do të ndalen së mbrojturi sovranitetin e shtetit.


Policia prezanton armatimin që u konfiskua në Banjskë

Policia e Kosovës ka ekspozuar të gjithë armatimin që e ka konfiskuar në Banjskë të Zveçanit.

Policia e ka sekuestrua 1 veturë të rëndë të blinduar, 24 vetura tjera dhe 2 motorë 4X4. Në shifra më të mëdha të armatimit janë eksplozivet, 150 copë eksploziv, dinamit, 23 detonator elektrik, afër 20 shurdhues për AK47 dhe mbi 230 karikator për AK47.

Përveç armatimit u janë gjetur edhe mjete tjera të punës, kazma, lopata, sopata dhe sharra te dorës – afër 50, 4 kamera të sigurisë, 3 dron, 30 armë AK47, 6 mitraloza, 29 zolla të mbushura, 21 antiplumba, 2 radiolidhje dhe ma shumë se 100 uniforma ushtarake.

Në mesin e veturave të konfiskuara ka edhe automjete me llogo të KFOR-it me të cilat sulmuesit janë munduar të kamuflohen.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se grupi kriminal serb ishte organizuar nga Milan Radojçiqi.

“Ky grup terrorist dyshohet se është organizuar nga Milan Radojviq, njëehrist nënkryetar i Listës Serbe dhe njeri i afërt i Aleksandar Vuçiq. Dyshohet të jetë përkrahur nga qeveria e Serbisë”, u shpreh Hoxha në konferencë.

Arsenali i armëve është duke u prezantuar nga Policia në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri”.


Sveçla: Kemi informata që 6 terroristë të plagosur po trajtohen në Novi Pazar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kanë informacione se 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit.

Ai ka kërkuar nga Serbia që t’i dorëzojë ata dhe cilindo pjesëtar që ka arritur të ikë në Serbi.


Gjendet trupi i pajetë i edhe një sulmuesi të dyshuar në veri

Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar të hënën se e ka gjetur trupin e pajetë të edhe një sulmuesi të dyshuar në veri të vendit, duke e çuar në katër numrin e sulmuesve të vrarë.

Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 kilometra larg “vendit të incidentit”, një ditë pasi një grup prej dhjetëra personave të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës.

Lajmi u konfirmua për rel nga prokurori Naim Abazi.

“Jemi duke bërë përpjekje ta identifikojmë atë për momentin, pasi nuk kishte dokumente identifikimi me vete”, tha Abazi.

Abazi tha se, po ashtu, është në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një automjet tjetër me armatim.

Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë.

Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Të dielën, autoritetet kosovare thanë se tre sulmues u vranë gjatë sulmit, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, u arrestuan.


Policia e Kosovës sot prezanton armatimin e sekuestruar në Manastirin e Banjskës

Sot, në orën 14:30 do të mbahet konferencë për media ku edhe do të bëhet prezantimi i armatimit që është sekuestruar dje në Manastirin e Banjskës.

“Referuar zhvillimeve të datës 24 shtator 2023 në veri të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në fshatin Banjskë, Policia e Republikës së Kosovës organizon konferencë për media në lidhje me zhvillimet në veri të vendit si dhe në konferencë do të prezantohen arsenal armësh të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma
dhe pajisje logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Prezantimi i armatimit pritet të bëhet në Kampin “Enver Zymberi” në jug të Mitrovicës.


Prokurori special thotë se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në të cilat dyshohet se ka armatim

Prokurori special i rastit në veri, Naim Abazi ka thënë se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se kanë armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast.

Prokurori Abazi, ka thënë se aksioni është ende në procedurë dhe se po merren edhe disa veprime shtesë.

“Jemi në atë drejtim, duke punuar ende në atë drejtim, që të mund të identifikojmë edhe persona tjerë që janë të përshirë në këtë aktivitet kriminal”, ka thënë Abazi.

Gjithashtu Abazi bëri të ditur se janë sekuestruar edhe disa kamera në lokacionin e manastirit lidhur me këtë ngjarje.

“Jemi duke i identifikuar edhe kamerat dhe lokacionet e ndryshme po ashtu kemi sekuestruat disa kamera, dëshmitaret jemi duke i identifikuar, janë plotë veprime tjera që ndoshta s’mundem t’i listoj tash për shkak të hetimeve që janë duke u bërë”, tha tutje prokurori Abazi.

Në vijim, Abazi ka deklaruar se nga Prokuroria Speciale do të parashtrohen edhe kërkesa për paraburgime.

“Po patjetër, po, po do të ketë veprime dhe do të ketë kërkesa që do të adresohen edhe përmes gjykatës edhe veprime tjera”, ka thënë prokurori Abazi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të dielën në mbrëmje ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas PSRK-së, të ndaluarit dyshohen për disa vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar PSRK-ja./Betimipërdrejtësi


Policia e vlerëson të qetë situatën në veri

Orët e para të së dielës nisen me sulme të armatosura nga grupe terroriste serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit ku i vdekur mbeti, Afrim Bunjaku, polic i Kosovës dhe u lënduan tre policë të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri. Të vdekur mbetën edhe tre sulmues.

Policia e Kosovës sot për portalin rtv21.tv ka thënë se situata është e qetë.

Prokuroria në njoftimin e saj të fundit ka thënë se në aksionin e së dielës janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme./21Media

Back to top button