Sveçla: Po përpiqemi për heqjen e barrikadave, ndërkohë serbët po i armatosin bandat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Goran Rakiq në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.
Sveçla ka thënë se ata po i armatosin bandat brenda barrikadave.
“E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Tutje ai ka thënë se nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena.
“Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim. Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij”, ka shkruar Sveçla.
Prej 11 ditësh, në veri janë vendosur barrikada që kanë bllokuar rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë. Përkundër thirrjeve nga ndërkombëtarët, barrikadat nuk janë larguar./21Media

Back to top button