Sveçla reagon për incidentin në Leposaviq: Dhuna ndaj policëve tanë nuk do të tolerohet

Policia e Kosovës tha se gjatë së hënës në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se dy personat që ishin në veturën në fjalë, qëllimisht goditën automjetin e Policisë së Kosovës.
“Jemi të brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t’i shmangen postbllokut policor. Ata kanë goditur me dashje veturën e Policisë së Kosovës dhe kanë vënë në rrezik jetën e policëve. Policët u detyruan të shtiejnë në drejtim të kësaj veture për të neutralizuar situatën”, ka shkruar Sveçla në Twitter.
Tutje, ai ka thënë se Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar një hetim për ngjarjen.
“Dua të jem i qartë: asnjë formë dhune ndaj policisë sonë nuk do të tolerohet. Mbrojtja e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit është prioriteti ynë kryesor”, ka shkruar Sveçla.


Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë detyrës zyrtare (me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës) në një pikë kontrolli në Bistricë të Leoposaviqit ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila nuk është ndalur dhe gjatë lëvizjes e ka goditur një automjet i policisë.
“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, policia bën të ditur se personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button