Szunyog: Të punohet për zgjidhjen e krizës që të largohen masat
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi sot se është pozitive që anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian shprehën gatishmërinë për të punuar në zgjidhjen krizës aktuale.
Pas takimit me Komisionin për Integrim Evropian, ai tha se kërkoi nga ata që të punojnë për zgjidhjen e çështjes në mënyrë që të largohen masat e vendosura dhe t’i kthehen punës më shpejt.
“Tema kryesore ishte se shpjegova qëndrimin tonë për situatën e veriut dhe gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe dhe diskutimet. Mendoj se ajo që është pozitive është se të gjithë ata shprehën gatishmërinë për të punuar në zgjidhjen e kësaj situate aktuale dhe krizës aktuale dhe kjo është inkurajuese. Unë shpjegova qëndrimin tonë dhe shpjegova masat tona. Pra, siç thash i shpjegova gjërat që janë dhe kërkoj nga anëtarët e komisionit që të punojnë për zgjidhjen e çështjes në mënyrë që të largohen ato masa dhe t’i kthehemi punës më parë.”, tha Szunyog.
Bashkimi Evropian ka njoftuar të shtunën (1 korrik) se kanë hyrë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Sipas BE-së, është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe program i fondeve IPA.
Lidhur me këtë, kryeministri Albin Kurti është shprehur të dielën (2 korrik) se ato nuk janë saksione, por masa të përkohshme, për të cilat ka thënë se janë të padrejta. Kurti është shprehur se do të vazhdojnë më zbatimin e programit qeveritar dhe se shpresojnë se masat e përkohshme të jenë shumë të shkurtra.