Tahiri për videon e VV-së: Vetëvendosje dhe Kurti në gjendje fort të mjerueshme

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas publikimit të një videoje nga Lëvizja Vetëvendosje, ku ka akuzuar qeveritë e kaluara për keqqeverisje, ndërsa sindikatat i ka quajtur partiake.
Tahiri ka thënë se është gjendje e mjerueshme që LVV dhe Kryeministri Albin Kurti nuk prezantojnë ndonjë rezultat pas dy vitesh qeverisje, por publikojnë video që Tahiri i quan “propagandë” për t’i sulmuar kundërshtarët.
“Duhet të jesh në një gjendje fort të mjerueshme politike siç janë sot Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti, që pas dy vite qeverisje, në vend se të prezantojnë rezultate të punës, të vetmen gjë që kanë prodhuar, janë videot me propagandë ku sulmojnë kundërshtarët politik me akuza e kundër akuza. Kjo është simptomë se pushteti i Kurtit ka ra në një gjendje të mjerueshme, dëshpëruese dhe të pashpresë. Mjerim për ta, e fatkeqësi për vendin”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video përmes së cilës promovon sukseset e Qeverisë Kurti. Në videon e postuar në faqen zyrtare në Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje, tregohet se “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”. VV tregon punën e Qeverisë Kurti, por edhe sulmon pushtetin e kaluar në Kosovë./21Media

Back to top button