Takimi i radhës Kurti-Vuçiq më 19 korrik
Takimi i dytë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq do të mbahet më 19 korrik në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, i cili në një konferencë për medie tha se ky takim do të përqendrohet në diskutimin e progresit të arritur deri më tani dhe hapat e ardhshëm të dialogut.
Ai ka thënë se përmes këtyre takimeve shpresojnë të arrihet një progres dhe të afrohen palët për të gjetur konsensusin dhe kompromisin për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
“Takimet janë pjesë e procesit që po vazhdon, dhe procesi është i përqendruar në arritjen e një marrëveshje të përbashkët të pranueshme, juridikisht të obligueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, midis Kosovës dhe Serbisë, Dhe me çdo takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë që ne si Bashkim Evropian po organizojmë dhe ndërmjetësojmë, aq më afër procesit jemi. Nuk ka ndonjë regres, gjë që është e rëndësishme, dhe pasi që ky është një progres, nuk më takon mua të komentoj mbi fazat individuale dhe takimet e këtij procesi, sepse duhet shikuar kontekstin e përgjithshëm dhe qëllimin e përgjithshëm për të cilin shpresojmë të përparojmë, dhe për të cilin të gjitha këto takime synojnë t’i afrojnë të dy palët për të gjetur konsensusin dhe kompromisin e ndërsjellë të pranueshëm, për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Stano.
Takimi i parë i nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi është mbajtur më 15 qershor, derisa javën e kaluar delegacionet e dy shteteve në nivel të ekspertëve janë takuar në Bruksel.