“Të gjithë duhet t’i mbrojmë fëmijët”, tha Szunyog

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, sot deklaroi se institucionet shtetërore të Kosovës, shkollat dhe mësuesit, familjet dhe shoqëria civile, duhet të krijojnë kushte për sigurinë e fëmijëve në rrugë, por edhe edukimin në mënyrë të sigurtë.
Szunyog i bëri këto komente gjatë fushatës për parandalimin e përdhunimeve seksuale me moton “Teshat nuk m’definojnë”, të organizuar nga Grupi i fëmijëve Respect Our Rights – ROR dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve të Kosovës. Sipas tij, BE ka qenë e angazhuar për në një numër të aktiviteteve legjislative dhe për të miratuar kornizën legjislative, por po ashtu ndihmojnë edhe me projekte konkrete.
“Duhet të sigurohemi që fëmijët të mbrohen dhe asnjë fëmijë të mos lihet anash pas. Mendoj se të gjithë duhet të marrin pjesë, duke filluar nga institucionet shtetërore të Kosovës deri te shkollat dhe mësuesit, familjet, shoqëria civile, të gjithë duhet të sigurohen… Fëmijët janë e ardhmja e Kosovës, ata janë të rëndësishëm dhe duhet t’u krijojmë kushte që të zhvillohen në mënyrë të sigurt dhe me edukimin dhe sigurinë e duhur në rrugë. Bashkimi Evropian është këtu për të ndihmuar, ne kemi qenë tashmë të përfshirë në një numër të aktiviteteve legjislative dhe për të miratuar kornizën legjislative, ne po ashtu ndihmojmë Kosovën me projekte konkrete, duke filluar nga ndërtimi i shkollave, ndërtimi i kopshteve, mbështetja e shoqërive civile, duke mbështetur edhe grupet që fokusohen në mbrojtjen e fëmijëve”, tha ai.
Ndërkohë, gjatë aktivitetit të sotëm në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, u bë edhe një instalacion kundër ngacmimeve seksuale ndaj fëmijëve. Aty u vendosën kukulla me veshje të ndryshme për të treguar që veshja nuk definon personin.
Kryetarja e grupit “Respect our Children”, Era Thaqi tha se me këtë aktivitet kanë dashur të tregojnë se teshat nuk definojnë personin.
“Kjo fushatë ka rrjedhur në kuadër të ngacmimeve seksuale dhe rasteve të fundit ku ne kemi dashur që të realizojmë këtë aktivitet me disa kukulla të vendosura me tesha të ndryshme dhe të tregojmë që teshat nuk e definojnë një person dhe nuk janë arsyetim që shumë persona shpesh ua vendosim viktimave të ngacmimeve seksuale. Kemi parë dhe nga rastet e fundit ku menjëherë kanë dalur komente po çfarë ka pasur vesh ose diçka të ngjashme, kështu që ne kemi dashur të tregojmë që teshat nuk e definojnë një person, që ne jemi së bashku dhe i besojmë viktimave”, tha ajo.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Save as Children, Ahmet Kryeziu, tha se janë të angazhuar që të përkrahim të gjithë fëmijët në Kosovë dhe se ngacmime seksuale ndaj fëmijëve janë të patolerueshme.
“Save as children jemi të angazhuar, të përkushtuar që të përkrahim të gjithë fëmijët në Kosovë, që dhuna ndaj fëmijëve ngacmime seksuale janë të pa tolerueshme dhe do ta bëjmë të pa mundurën së bashku me institucionet e shoqërisë cilvile të mobilizojmë që kjo çështje të adresohet”, u shpreh ai.

Back to top button