Të rinjtë ikin nga Maqedonia

Sipas statistikave, shkalla e papunësisë te të rinjtë në Maqedoni është 48%

Në 10 vitet e fundit ka pasur rritje të trendit të largimit të të rinjve nga Maqedonia të moshës prej 18 deri 30 vjeç. Një nga arsyet për këtë është papunësia si dhe cilësia e dobët e arsimimit. Instituti për demokraci sociale “Progres” doli me një dokument duke propozuar një sërë zgjidhjesh për këtë problem. Siç thonë ata, dokumentin do t’ia dorëzojnë edhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

“Ky dokument për politika publike ka për qëllim përfshirjen e aktivistëve të rinj në krijimin e politikave publike që i tangojnë pikërisht të rinjtë. Një nga temat më të nxehta në Maqedoni është papunësia tek të rinjtë. Instituti për demokraci sociale “Progres”, përpos se dokumentin do t’ia dorëzojë qeverisë së Republikës së Maqedonisë, njëherazi do të angazhohet që i njëjti të implementohet dhe të mbikëqyret”, u shpreh Aleksandar Spasov, Instituti për Demokraci sociale “Progres”.

Renata Jajovska, nënkryetare e institutit të quajtur “Politika evropiane për të rinj” thotë se po punojnë në gjetjen e masave që do ta ulnin këtë trend të largimit të të rinjve jashtë vendit.

“Ka dallim ndërmjet emigrimit të të rinjve nga Maqedonia dhe atyre nga Evropa. Më së shpeshti, të rinjtë nga Evropa largohen për studime, por më pas kthehen në vendet e tyre për shkak të vendeve të mira të punës. Në Maqedoni ndërkaq, të rinjtë ikin për ekzistencë. Ata nuk kanë bazë për kurrfarë vende pune, andaj vendosin të largohen nga vendi”, tha Jajovska.

Sipas statistikave, shkalla e papunësisë te të rinjtë në Maqedoni është 48%, gjë që paraqet dallim shqetësues në krahasim me mesataren evropiane që është 9.5%. Prej pavarësimit të vendit e deri në vitin 2013, sipas Bankës Botërore, nga Maqedonia janë larguar 626.313 persona./21Media

Back to top button