Tensionet në veri pengojnë marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi

Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës po shihet nga opozita si pengesë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, duke vënë në dukje se çdo veprim i njëanshëm i qeverisë në veri pa konsultim me partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm që e  zvarritë marrëveshjen, por e dëmton edhe interesin strategjik të Kosovës.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje vlerësojnë se Serbia po tenton t’i ikë përgjegjësisë për një marrëveshje përfundimtare.
Pranvera e vitit të ardhshëm është parë si mundësi për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi. Por, rrugën drejt arritjes së një marrëveshjeje  të tillë si duket po e pengon situata në veri të Kosovës.
Tensionet  në veri u përshkallëzuan pikërisht në kohën kur palëve iu dorëzua versioni i fundit i propozimit më të ri në tavolinën e dialogut, atij franko-gjerman i cili parasheh normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thotë se Serbia përmes tensioneve të tilla dhe qëndrimit të saj ndaj planit franko-gjerman po tenton t’i ikë përgjegjësisë për marrëveshjen finale.
“Situata në veri po bëhet për t’u vështirësuar arritja e marrëveshjes finale. Ne e dimë që qëndrimi i Serbisë karshi planit franko-gjerman ka qenë që fillimisht se nuk mund të hudhet e më pas me reagime. Ikja nga ballafaqimi për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje finale. Normalizimi i plotë i marrëdhenieve e bën që të ketë ndikim të vazhdueshëm në rrethanat në veri të cilat në fakt po e rrezikojnë më së shumti komunitetin serb të Kosovës dhe komunitetet tjera. Por, është e paevtiueshme, Serbia mund t’i ikë përgjegjësisë për marrëveshjen finale, por tek ne garantues është faktori ndërkombëtar si ndërmjetësues dhe kjo s’është hera e parë që Serbia i ikë përgjegjësisë”, tha ajo.
Përshkallëzimi i gjendjes në veri të vendit erdhi pas sulmeve mbi zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri dhe pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq i cili dyshohet se qëndron prapa këtyre sulmeve. Një pjesëtar i policisë së Kosovës u plagos.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj thotë se moskoordinimi i qeverisë me partnerët ndërkombëtarë ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes në veri dhe në të njëjtën kohë edhe në zvarritjen e marrëveshjes finale.
“Që nga çlirimi i Kosovës, veriu asnjëherë s’ka qenë çështje që mund ta zgjidh vetëm Prishtina. Pa dakordim dhe afrim të afërt me aleatin tonë, NATO-n, asnjë çështje s’mund të merr epilog. Ajo çka vërehet kohët e fundit, sikur ka një shkëputje të këtyre frekuencave, ka qasje të veçantë të qeverisë pa një dakordim, pa ndonjë trajtim serioz të kësaj çeshtje. Çdo qasje e veprim i qeverisë duhet të jetë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Çdo veprim i njëanshëm i qeverisë së Kosovës në veri pa konsultim me miqtë ndërkombëtarë jo që e zvarritë marrëveshjen, por edhe i bën dëm interesit tonë strategjik që është konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, tha ai.
Për analistin politik, Gazmir Raci, Serbia me veprimet e saj në veri të vendit dhe kërkesën për kthimin e ushtrisë në Kosovë tregon se ajo nuk është e gatshme ta pranojë planin franko-gjerman që, sipas tij, çon në vështirësimin e arritjes së marrëveshjes finale mes palëve.
“Nuk po mundem ta kuptoj rolin e Serbisë tani me kërkesa për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, për faktin që Kosova për dy hapa para çështjes së targave dhe zgjedhjve i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së ndërkombëtarëve dhe bëri një shtyrje për t’i dhënë shans dialogut. Duket që problemi është te Serbia dhe problemi kryesor është se Serbia nuk është e gatshme ta pranoj propozimin franko-gjerman. Natyrisht që po e vështirëson sepse nëse sot Serbia dërgon kërkesën në KFOR për të ritkhyer ushtrinë, nuk shoh mundësinë për dialog. Në dialog shkohet vetëm kur palët janë të gatshme për kompromise dhe për të diskutuar çështjet që kemi në tryezë”, tha ai.
Plani franko-gjerman në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj./21Media

Back to top button