Thaçi për rastin e dhunimit në Drenas: Ndodhia më tronditëse në Kosovën e pasluftës

Presidenti bën thirrje për hetimin e rastit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me rastin e dhunimit të së miturës në Drenas nga mësimdhënësi dhe hetuesi policor. Thaçi e ka quajtur këtë rast si më të tronditës që prej pas luftës në Kosovë. Ai po ashtu ka kërkuar nga organet që ta hetojnë rastin.

“Rasti i abuzimit me nxënësen e mitur në Drenas është prej ndodhive më tronditëse në Kosovën e pasluftës. Në institucionet tona nuk duhet të ketë vend për abuzues të fëmijëve tanë. Kërkoj nga organet përgjegjëse që ta hetojnë me profesionalizëm rastin dhe të gjithë abuzuesit t’i sjellin para drejtësisë. Shoqëria jonë duhet ta ngreh zërin kundër çdo abuzimi dhe institucionet duhet me vendosmëri të punojnë për çrrënjosjen e këtyre dukurive në vendin tonë. “, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Dje në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Polici në fjalë është arrestuar.

Lidhur me rastin Kryetari i Komunës së Drenasit ka mbajtur një konferencë për media, ku ka treguar për rrjedhshmërinë e ngjarjes, Ai po ashtu ka bërë të ditur se mësimdhënësi SH. XH është ripezulluar nga puna.

Ndërkaq për këtë ka reaguar edhe Kryeminsitri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se e është i tronditur me këtë ngjarje dhe ka  siguruar familjarët e viktimës  se ky rast do të trajtohet seriozisht nga organet e drejtësisë. Kryeministri Haradinaj po ashtu u ka bërë thirrje vajzave dhe grave të cilat janë cak i dhunimeve që t’i raportojnë dhunuesit./21Media

Back to top button