Themelohet Grupi Punues për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar kërkesën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Shwarz, për formimin e grupit ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
“Politika e zgjerimit të NATO-s, e paraparë në nenin 10 të Traktatit themelues të Aleancës Veri-Atlantike, është krejtësisht në përputhje me aspiratën tonë shtetërore e të qenit pjesë e një Aleance që promovon dhe mbron vlerat e përbashkëta si paqja, siguria dhe demokracia si dhe fuqizimin e bashkëpunimit me aleatët strategjik ndërkombëtare të cilët janë pjesë e kësaj organizate. Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik kryesor i Republikës sonë.”, është shprehur ministrja në mbledhjen e Qeverisë.
Duke rekomanduar aprovimin e kësaj kërkese si të tillë, Gërvalla ka njoftuar kabinetin qeveritar se “Kosova dhe shtetet tjera demokratike pro-perëndimore në rajon po ballafaqohen cdo ditë e më shumë me veprime destabilizuese të provokuara nga Rusia përmes vartësve të saj. Duke marrë parasysh kontekstin aktual të agresionit të paprecedent të agresionit rus ndaj Ukrainës si dhe synimeve për destabilizim dhe minim të të gjitha progreseve euroatlantike, një kërcënim për vendin, rajonin dhe paqen globale, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO është urgjent si asnjëherë më parë, për solidifikimin e arkitekturës së sigurisë në rajon por edhe në Evropë”.
Grupi Punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në NATO ka këtë përbërje:
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Kryesuese;
Ministri i Mbrojtjes – Anëtar;
Ministri i Punëve të Brendshme – Anëtar;
Ministrja e Drejtësisë – Anëtare;
Një Përfaqësues/e i/e lartë nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës – Anëtar/e;
Një përfaqësues/e i/e lartë nga Zyra e Kryeministrit – Anëtar/e;
Përfaqësuesi i Republikës së Kosovës për marrëdhëniet me NATO nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel – Anëtar;
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Anëtar.
Ky grup ka si qëllim të intensifikojë punën për procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në NATO, duke synuar përfshirjen sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Partneritetin për Paqe (PFP), anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në SHBA – Kartën e Adriatiku (A5); si dhe duke avancuar praninë e Kosovës në organizata dhe mekanizma tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë dhe mbrojtjes si mekanizma komplementar dhe përkrahës të synimit për anëtarësim në NATO./21Media

Back to top button