Toka bujqësore ukrainase u mboll rreth 25% më pak se vitin e kaluar

Fermerët ukrainas kanë mbjellë rreth 25% më pak tokë se sa në vitin 2021, sipas zyrtarëve dhe vlerësimeve të pavarura.
Sipas Markiyan Dmytrasevych, zëvendësministër i Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës, një total prej 13.5 milionë hektarësh ishin mbjellë me një shumëllojshmëri të korrash – 80% e territorit që u mboll vitin e kaluar, transmeton rtv21.tv.
“Natyrisht ne nuk mund të mbillnim në rajonet Luhansk, Donetsk, pjesërisht në rajonet e Kievit, Chernihiv dhe Sumy”, tha Dmytrasevych.
Përveç kësaj, toka e pasur bujqësore në Ukrainën jugore është tani nën kontrollin rus. Kjo zonë prodhonte gjithashtu një pjesë të madhe të perimeve të Ukrainës.
Një tjetër zyrtar i lartë në Ministrinë e Politikës Agrare, Taras Vysotskyi, tha se më shumë grurë pranvere ishte mbjellë këtë vit se ai i kaluar, por kishte rënie të mprehtë në mbjelljen e misrit dhe lulediellit.
“Sa i përket të korrave të pritshme, Vysotskyi tha se “mund të ketë rreth 48-50 milionë tonë drithë. Është më pak se vitet e mëparshme, kur arriti në 85 milionë.” Dmytrasevych dha një parashikim të ngjashëm, duke thënë “Ne shpresojmë të korrim afërsisht 60 milion ton drithëra dhe farëra vajore — pak më shumë se gjysma e asaj që korrëm vitin e kaluar”.
Më vete, Maxar Technologies ekzaminoi imazhet satelitore të zonave bujqësore në Ukrainë dhe arriti në përfundimin se fermerët ukrainas mbollën 30% më pak sipërfaqe pranverore në vitin 2022.
Maxar parashikoi se prodhimi i misrit në vitin 2022 do të ulet 54% dhe prodhimi i lulediellit me 40% krahasuar me sezonin e rritjes 2021.
Konflikti ka shkatërruar dhjetëra objekte të magazinimit të grurit në porte dhe në zonat rurale, me rreth 10 milionë tonë tani nën kontrollin rus, ndërsa të tjerat janë shkatërruar në sulmet me raketa dhe artileri. Në maj, burime të shumta thanë gjithashtu për CNN se forcat ruse po vidhnin pajisje fermash dhe mijëra tonë drithë nga fermerët ukrainas në zonat që ata kishin pushtuar.
Disa zyrtarë ukrainas thonë se vështirësitë e ruajtjes kanë bërë që fermerët të ndryshojnë të korrat. Marchuk paralajmëroi gjithashtu se mungesa e karburantit mund të pengojë korrjen. Dhe ai tha se fermerët u përballën me një krizë financiare, me interesat për kreditë që u rritën deri në 35%.
Eksportimi i drithërave dhe farërave vajore është komplikuar nga bllokada e Odesës dhe porteve të tjera të Detit të Zi.
Dmytrasevych tha se që nga pushtimi rus, Ukraina kishte eksportuar 4 milionë ton drithëra dhe farëra vajore, krahasuar me një parashikim të paraluftës midis 5 dhe 6 milionë ton. Opsione të ndryshme për transportin rrugor dhe hekurudhor janë zhvilluar, me drithëra që udhëtojnë me hekurudhë në portin rumun të Konstancës dhe përtej kufirit tokësor në Poloni. Por alternativat janë më të vështira se transporti në tregjet botërore përmes Detit të Zi./21Media

Back to top button