Tragjedia në Slavonski Brod, Plenkoviq vizitoi personat e lënduar

1 min read

 

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka vizituar sot personat e lënduar nga aksidenti i sotëm.

Vizita e tij në spitalin në Brod u zhvillua pak para takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili ka arritur me helikopter në orën 19.45 në Slavonski Brod, i shoqëruar nga disa ministrat e kabinetit të tij qeverisës.

“Në spitalin në Slavonski Brod, vizitova të plagosurit në një aksident trafiku pasi një autobus doli nga rruga. Falënderoj shërbimet që u përgjigjën shkëlqyeshëm dhe ofruan ndihmë mjekësore dhe akomodim. Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave dhe popullit të Kosovës, dhe i uroj të plagosurve një shërim të suksesshëm”, ka shkruar Plenkoviq në Twitter.

Ndryshe, 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku sot në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, kur një autobus nga Kosova doli nga rruga dhe u përmbys.

Shoferi i autobusit është arrestuar dhe sipas dëshmisë së tij dhënë policisë kroate, atë në momentin tragjik e kishte zënë gjumi. Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë. Në autobus ishin 69 pasagjerë.

Me rastin e kësaj ngjarjeje tragjike, presidentja Vjosa Osmani ka shpallur të hënën ditë zie në Kosovë.

Autoritetet kroate thanë se ky ishte aksidenti më i rëndë ndonjëherë në 15 vjetët e fundit në Kroaci.