Trajektore të ndryshme për sistem të drejtësisë me integritet, transparencë e llogaridhënie
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, sot mbajti një konferencë për media në të cilën është prezantuar raporti “Administrimi i sistemit të drejtësisë nga Këshillat”, Raporti i monitorimit të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial në vitin 2021.
Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana tha se KGjK-ja gjatë vitit 2021 ka treguar progres sa i përket miratimit të akteve nënligjore në krahasim me vitin paraprak. Megjithatë, sipas tij, janë një sërë aktesh nënligjore që kanë dalë si obligime nga Ligji i ri për Gjykatat dhe ai për KGjK-në, të cilat nuk janë miratuar nga ana e KGjK-së. Po ashtu, ai tha se KGjK nuk ka miratuar as aktet normative të cilat i ka përfshirë në Planin e saj të Punës për vitin e kaluar.
Problematikë tjetër e ngritur nga Makshana është ndryshimi i shpeshtë i rregulloreve nga ana e KGjK-së. Për t’u vlerësuar lartë sipas tij, është praktika pozitive e aplikuar nga KGjK për përfshirjen e publikut në fazën e draftimit të akteve normative, por që kërkohet formalizimi me akt nënligjor të veçantë.
Sa i përket ngritjes së llogaridhënies në KGjK, Makshana tha se masa më e rëndë e shqiptuar nga Këshilli gjatë vitit 2021 ka qenë degradimi i ish-anëtarit të KGJK-së. Si progres në aspektin e ngritjes së llogaridhënies në KGjK, Makshana theksoi faktin se kryetarët e gjykatave janë ftuar që të raportojnë para anëtarëve të Këshillit. Sfidë që duhet adresuar nga KGjK-ja dhe sistemi gjyqësor, sipas tij, është adresimi konform ligjit i të gjitha kërkesave për qasje në dokumente publike dhe përmbushja e vlerësimit të performancës për gjyqtarë, siç parashihet me ligj.
Po ashtu, Makshana tha se zhvillimi i procedurave rekrutuese për pozitat udhëheqëse në kuadër të sistemit gjyqësor nuk është bërë konform afateve të përcaktuara nga vet KGjK-ja, duke ndikuar që një sërë gjykata themelore të mbeten për një kohë të gjatë me ushtrues detyre. Me mungesë të transparencës sipas tij, ishte përcjellë edhe procesi i dekretimit të 23 gjyqtarëve, për çka tha se ka pasur kritika edhe nga vet anëtarët e KGJK-së. Një sërë hapash pozitiv për ngritjen e llogaridhënies së gjyqësorit, sipas Makshanës, janë ndërmarrë pas zgjedhjes së kryesuesit të ri të KGjK-së.
Ndërsa, hulumtuesi Mirvet Thaqi deklaroi se KPK-ja gjatë vitit të kaluar kishte treguar mungesë efikasiteti në nxjerrjen e akteve nënligjore në krahasim me vitin paraprak. Po ashtu, ky institucion sipas Thaqit, nuk kishte nxjerrë as aktet nënligjore të përfshira në Planin e saj të Punës e as ato që derivojnë nga Ligji i ri për KPK-në.
Sa i përket llogaridhënies dhe transparencës së KPK-së, Thaqi tha se ky institucion ka publikuar Raportin Vjetor të Punës dhe të Prokurorit të Shtetit brenda afateve ligjore, si dhe ka përfunduar vlerësimin e performancës për të gjithë prokurorët. Gjatë vitit 2021, sipas Thaqit, përqindja absolute e vendimmarrjes në Këshill ka qenë lirim i prokurorëve nga përgjegjësia disiplinore, derisa masa më e rëndë disiplinore e shqiptuar ka qenë vërejtja jo publike me shkrim, çka paraqet një qasje amnistuese të Këshillit në disiplinimin e prokurorëve që përfshihen në shkelje disiplinore. Sipas Thaqit ka pasur mangësi në transparencë sa i përket përgjigjeve në kërkesat për qasje në dokumente publike, publikimit të vendimeve të KPK-së si dhe të publikimit të vendimeve në gjuhën serbe.
Edhe këtë vit, sikurse në vitet e kaluara, IKD ka gjetur se KPK ka vazhduar me praktikën e avancimit të prokurorëve në emër të transferimeve, pa kaluar përmes institutit të konkursit.
Thaqi tha se zgjedhja e Jetish Malokut si kryesues të KPK-së në janar të vitit 2021 ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi që ky i fundit kishte qenë anëtar i këtij institucioni gjatë viteve 2011-2015.
Thaqi theksoi se vendim skandaloz i nxjerrë nga KPK ka qenë edhe ai për detyrimin e një ish-prokuroreje që të ndjekë trajnime tre muaj para pensionimit, për shkak të performancës së pamjaftueshme. Një vendim i tillë sipas Thaqit përveçse skandaloz, është edhe i padobishëm për vet sistemin prokurorial, pasi me daljen në pension të prokurores, KPK nuk mund të përfitojë asnjë dobi profesionale nga e njëjta.
Përpos kësaj, Thaqi tha se KPK ka treguar qasje selektive me rastin e trajtimit të akterëve të përfshirë në përgjimet e publikuara në media. Sipas tij, KPK kishte reaguar konform legjislacionit në fuqi ndaj përfshirjes së një ish-prokuroreje në këto përgjime, ndërsa ky institucion nuk kishte iniciuar fare procedurë hetimore disiplinore ndaj ish-Kryeprokurorit të Shtetit, ndonëse veprimet e këtij të fundit kanë qenë pothuajse identike me ato të ish-prokurores së degraduar./21Media