Trajtimi i COVID 19, OBSH rekomandon përdorimin e dy ilaçeve

 
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar dy ilaçe të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19.
Ilaçi baricitinib (një lloj i ilaçit që përdoret për trajtimin e artritit reumatoid), sipas OBSH-së, rekomandohet të përdoret te pacientët e sëmurë rëndë dhe ata kritikë, në kombinim me kortikosteroidet, që janë ilaçe të fuqishme kundër inflamacioneve dhe forcojnë përgjigjen imunitare.
Ekspertët gjithashtu kanë rekomanduar përdorimin e anti-trupit sintetik, Sotrovimab, për personat që kanë simptoma jo-serioze, mirëpo që janë të rrezikuar nga spitalizimi, si të moshuarit, ata me mungesë imuniteti dhe personat me sëmundje kronike si diabeti.
OBSH-ja tha se ky rekomandim bazohet në të dhënat që sugjerojnë se përmirëson shanset e mbijetesës dhe zvogëlon nevojën që pacientët të futen në ventilator dhe nuk është gjetur se shkakton efekte anësore.
Ekspertët e OBSH-së thanë se baricitinib ka efekte të ngjashme sikurse ilaçet e tjera për artritin, , prandaj nëse këto dy ilaçe janë në dispozicion, kjo organizatë rekomandon që pacientët të zgjedhin njërën nga to “në bazë të kostos, disponueshmërisë dhe rekomandimit të mjekut”. Megjithatë, nuk rekomandohet që këto dy ilaçe të merren në të njëjtën kohë.
Rekomandimi i përdorimit të këtyre ilaçeve është bërë nga të dhënat e reja nga shtatë studime, ku janë përfshirë 4,000 pacientë me COVID-19 me infeksione të lehta, të rënda dhe kritike.
Ilaçet e rekomanduara sot i shtohen listës së trajtimit për COVID-19 ku përfshihet përdorimi i receptorëve bllokues dhe kortikosteroideve me veprim sistematik për pacientët e sëmurë rëndë dhe ata kritikë. Po ashtu, OBSH-ja më herët ka bërë rekomandim për përdorimin e kushtëzuar të trajtimit me antitrupa monoklonale në pacientë të caktuar./21Media

Back to top button