“Tryeza e Sportit”, takime të diskutimit mes akterëve kryesorë të sportit në vend

 
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës po organizon sot dhe nesër “Tryezën e Sportit”, një takim diskutimi i cili po mbahet në Brezovicë, ndërsa po marrin pjesë niveli më i lartë i komunitetit të sportit në vendin tonë.
Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëhet e ditur se qëllimi është të krijohet një platformë e përbashkët profesionale ku pritet të ndahen informacionet, përvojat, sfidat, idetë e reja dhe planifikimi i zhvillimit të mëtutjeshëm në sportin e Kosovës.
Në ditën e parë u diskutua mbi gjendjen ekzistuese të sportit në Kosovë dhe për programin e qeverisë.
Në këtë tryezë po marrin pjesë Ministri Hajrulla Çeku, Ismet Krasniqi, Kryetar i KOK-ut, Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Musa Selimi, Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit nga Universiteti i Prishtinës, Ardian Gola, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sport, drejtuesit e përfaqësuesit e federatave sportive, përfaqësuesit e nivelit lokal në Kosovë, të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv dhe të Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive tjera negative në Sport si dhe përfaqësuesit e vet sportistëve.
Në hapje Ministri Çeku, tha se ky është takimi i parë i përbashkët që po mbahet në këtë format përfaqësimi ndërsa kjo ëshhtë një pikënisje për të diskutuar për gjendjen aktuale në këtë fushë, kurse shtoi që këto diskutime do të shërbejnë për të ndërtuar vizionin për të ardhmen e sportit në vendin tonë.
Ndër temat që po diskutohen në këtë tryezë dy ditore janë: Gjendja ekzistuese në sport, Politikat e zhvillimit të sportit, Plani Operacional Strategjik i Qeverisë.
Tema të tjera do të jenë dy shtyllat themelore të orientimit qeveritar për sportin: Sporti për të gjithë dhe Sporti elitar, që ka të bëjë me rezultatet e sportit tonë në arenën ndërkombëtare, Parandalimi i Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport dhe Infrastruktura Sportive. Po ashtu u prezantua projekti i ri “Baza e të dhënave të sportit në Kosovë”.
Takimi do të vazhdoj edhe gjatë ditës së nesërme, ndërsa përfundimet nga ky diskutim do të jepen në konferencën për media që organizohet në fund të ngjarjes./21Media

Back to top button