​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për këtë dëshmitar.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës deklaroi se deri te ky vendim erdhi si rezultat i situatës së djeshme.

Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS rreth disa dokumenteve.

Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

Kehoe: Ekipet mbrojtëse nuk do të parashtrojnë kundërpyetje për dëshmitarin

“Sa i takon kundër-pyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do të bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarit. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë kundër-pyetjet por bashkërisht morëm vendim që askush nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari”, ka deklaruar ai.

Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

Gjykatësi Metro e ka pyetur dëshmitarin nëse i kanë raportuar diku ato që pretendojnë se u kanë ndodhur.

Metro: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur iu morën vëllain edhe çdo gjë tjetër gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

Dëshmitari: Po.

Metro: A mund të na tregosh kujt ia tregova këto ngjarje?

Përgjigjet e dëshmitarit lidhur me këtë janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale i ka përfunduar seancat për këtë sezon ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

E ish-krerët e UÇK-së seancën e sotme gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së.

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Back to top button