U zbulua në Prishtinë busti i senatorit amerikan, Bob Dole

 

Sot në Prishtinë u bë zbulimi i bustit të mikut të madh të Kosovës, senatorit Bob Dole, me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Dole.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti me këtë rast tha se është i bindur se ky bust do të jetë vend ku gjeneratat e ardhshme do të mësojnë shumë, shkruan rtv21.tv

Ai ndër të tjera tha se është nder i veçantë të zbulohet busti i senatorit.

Ndërsa, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett tha se është privilegj që është pjesë e kësaj ngjarjeje historike. Ai u shpreh se sot po shënojnë 30 vjetorin e vizitës së senatorit Dole në Kosovë, e cila ia ka hapur sytë bashkësisë ndërkombëtare, për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut që ishin duke ndodhur në Kosovë.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, sot po ashtu, u bë zbulimi i pllakës përkujtimore kushtuar tridhjetë vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të Senatit të ShBA-ve, i kryesuar nga senatori Bob Dole.

Gjithashtu, në Prishtinë u hap një ekspozitë, ku u prezantuan fotografi nga vizita e delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, para 30 vitesh./21Media

Back to top button