Veseli: Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë është i pashmangshëm

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në ditën Ndërkombëtare për të Zhdukurit, ka thënë se shteti serb ka përgjegjësinë direkte dhe ende mbanë në ankth shumë familje nga Kosova, duke mbajtur të fshehura shumë informacione që ata i kanë për njerëzit e rrëmbyer e pastaj të vrarë e masakruar.

Ai ka shkruar në “Facebook” se 21 vite pas përfundimit të luftës, në listën e personave të pagjetur të Kosovës ende figurojnë edhe 1647 emra.

“Shteti serb ka përgjegjësinë direkte dhe ende mbanë në ankth shumë familje nga Kosova, duke mbajtur të fshehura shumë informacione që ata i kanë për njerëzit e rrëmbyer e pastaj të vrarë e masakruar. Dhimbja dhe vuajtjet e familjeve dhe të afërmve të viktimave është tejet e madhe. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtroj trysni, që krimet e kryera nga Serbia të mos vazhdojnë të mbulohen, duke ikur nga përgjegjësitë minimale humane për të pranuar fajin dhe respektuar viktimat. Formimi i Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin dhe krimet që Serbia ka kryer në Kosovë është i pashmangshëm”, ka thënë ai.

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për ata njerëz që kanë humbur gjurmët në konflikte apo rrethana të tjera. 30 Gushti është shpallur nga Kombet e Bashkuara si ‘Dita për të nderuar viktimat e zhdukjes së dhunshme’. Kjo ditë shënohet edhe në vendin tonë, ku edhe 1640 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur vetëm nga lufta e fundit./21Media

Back to top button