Udhëheqësi e re në LSDM, Spasovski dha dorëheqje

Oliver Spasovski këtë mëngjes ka dërguar dorëheqjen e tij nga posti i nënkryetarit të LSDM-së. Ai me këtë e ka realizuar atë që para disa ditëve e deklaroi në Clik Plus të TV21, ku paralajmëroi se nuk e sheh veten në ekipin e ri të kryetarit të partisë, Dimitar Kovaçevskit.

“Këtë mëngjes dërgova dorëheqjen time nga funksioni i nënkryetarit të LSDM e cila do të shqyrtohet në seancë sonte në Bordin qendror të partisë, ku gjithsesi edhe unë do të marrë pjesë. Vlerësoj se kryetari i ri i LSDM duhet të zgjedh ekip të ri. Unë 28 vjet kam investuar në parti, ndërsa a do të mbetem edhe më tej ministër për punë të brendshme do të dihet pas 1 janarit”, ka thënë Spasovski.
Pritet që në seancën e Bordit Qendror të konfirmohet kryetari i ri i partisë si mandatarë i ardhshëm për krijimin e kabinetit të ri qeveritarë. Këtë gjë e pret edhe shefi i shtetit Stevo Pendarovski për t’ia dorëzuar mandatin. Njëkohësisht do të zgjedhen edhe nënkryetarët e ri, sekretari i përgjithshëm dhe ata që do të jenë pjesë e Bordit ekzekutiv të LSDM. Jozyrtarisht nga katër nënkryetarët do të mbetet vetëm Fatmir Bytyqi. Pas dorëheqjes së sotme të Spasovskit, nga posti i nënkryetarit largohen edhe Milla Carovska dhe Venko Filipçe, ndërsa njëherit që të dy paralajmëruan se nuk do të jenë pjesë e kabinetit qeveritarë
“Propozimi për udhëheqësi të re do të gjendet para anëtarëve të Bordit qendror dhe në këtë moment është e pahijshme të flasim për emra konkret para se të sjellin vendim përfundimtarë anëtarët e Bordit qendror për zgjedhjen e udhëheqësisë së re. Përveç pikës për zgjedhjen e udhëheqësisë së re, në rend të ditës është edhe autorizimi i kryetarit të partisë Dimitar Kovaçevski për mandatar për krijimin e Qeverisë së re nga ana e Bordit qendror”, ka thënë Stefan Vasev nga LSDM.
Tani për tani jozyrtarisht pohohet se në parti do të kthehen edhe ish funksionarët Igor Ivanovski Shema, ish deputet dhe Anderej Petrov, ish kryetari i Karposhit, që të dy nga koha kur partia ishte nën udhëheqjen e Crvenkovskit. Burime partiake thonë se është e mundshme si nënkryetarë të emërohen deputetja nga Manastiri, Bisera Kostadinova Stojçevska, kryetari i Vallandovës, Pero Kostadinovski, si dhe ish kryetari i Karposhit, Stefan Bogoev. Është më se e sigurt se nënkryetare do të jetë Sanja Llukarevska, ndërsa sekretar i përgjithshëm i partisë do të emërohet Mile Zeçeviq i cili gjithashtu ishte pjesë e udhëheqësisë së partisë në kohën e Crvenkovskit./TV21
Back to top button