Vajzat U17/ Kosova pëson humbje nga Finlanda

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave e grupmoshës nën 17-vjeç ka zhvilluar sot ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024, që po mbahen në Portugali.

Kosova, e cila ndodhet në Grupin 2 të Ligës A, pësoi humbje me rezultat të thellë ndaj kombëtares së Finlandës, me rezultat 5:0.

Finlandezet e siguruan epërsinë me të filluar ndeshja, me ç’ rast në minutën e shtatë përmes Todoshchenko shënuan golin e parë.

Me të filluar pjesa e dytë, përkatësisht në minutën 48 u akordua penallti për finlandezet, por gjuajtjen e Olivia Ulenius e priti portierja Leyla Gërvalla.

Megjithatë, vetëm një minutë më vonë Finlanda e gjeti rrugën e golit përmes Laura Oksanës.

Përzgjedhësja Sanije Krasniqi, në minutën e 60-të bëri dy zëvendësime, duke futur në lojë Viola Nuhajn dhe Loela Ahmetin, në vend të Albonita Statovcit dhe Elona Pacit, por as me këtë ndryshim, Kosova nuk arriti ta ndalë kundërshtarin.

Kështu, në minutën e 71-të Finlanda realizoi golin e tretë përmes Jelena Todoshchenkos, e cila shënoi hat-trick në këtë takim, pasi realizoi edhe në minutën e 76-të për 4:0. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 5:0 e vendosi Bella Aalto, në minutën e 77-të.

Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë të shtunën nga ora 12:00, ku i pret një sfidë edhe më e vështirë kundër Portugalisë nikoqire.

Back to top button