Vdiq ish-hendbollisti Valbon Shala

Ka vdekur në moshën 39 vjeçare hendbollisti, Valbon Shala.
Lajmin për vdekjen e Shalës e bën të ditur Federata e Hendbollit e Kosovës, që njëkohësisht u shprehën të pikëlluar nga ikja e hershme e ish-hendbollistit shqiptar.
“Valboni, një hendbollist dhe djalosh shembullor, ka vdekur të mërkurën në moshën 39-vjeçare. Kështu Federata e Hendbollit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i hendbollit në vendin tonë ka mbetur pa një person të dashur e të respektuar nga të gjithë”, bëhet e ditur në postimin e FHK-së.
Në emër të FHK-së, familjen Shala e ka ngushëlluar presidenti Eugen Saraçini.
“Mbetëm të shokuar kur na njoftuan për ndarjen nga jeta të Valbonit, një djaloshi të dashur nga të gjithë ne. Kontributi i tij për hendbollin pejan, por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi, do të kujtohet gjithnjë. Klubi Besa Famgas, Peja si qytet, komuniteti i hendbollit pejan dhe kosovar në përgjithësi, sot kanë mbetur pa një lojtar që me paraqitjet e tij ishte shembull për të tjerët. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta në emër të gjithë familjes së hendbollit kosovar”, ka shkruar presidenti Saraçini.
Shala ka luajtur shumë gjatë për skuadrën e vendlindjes, Besën e Pejës. Me Besën ka fituar shumë tituj të kampionit e Kupa të Kosovës, ndërsa ka luajtur me sukses edhe në skenën evropiane. Është shquar për angazhimin e madh dhe luftën sportive për ngjyrat e skuadrës së qytetit.
Ai ishte pjesë e Besa Famiglia në debutimin evropian, në vitin 2005. Ka luajtur në garat evropiane deri në vitin 2012.
Valboni ka luajtur në pozitën e pivotit, ku është shquar me paraqitje. Karrierë ka bërë edhe në disa skuadra tjera të vendit tonë si Vëllaznimi e Vushtrria, ndërsa ishte pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës. Në vitet e fundit karrierë ka bërë në Gjermani./21Media

Back to top button