Veç dje mbi 350 gjoba për ata që nuk respektuan masat
Qytetarët po vazhdojnë të mos i respektojnë masat antiCOVID-19. Vetëm dje Policia e Kosovës shqiptoi gjoba për 353 qytetarë të cilët nuk i respektuan masat antiCOVID-19. Ndërkohë vazhdojnë të jenë në fuqi masat për parandalimin e përhapjes së virusit.
Aktualisht në vend janë 5 mijë e 118 raste aktive me koronavirus.
Sipas raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në vend 728 qytetarë rezultuan pozitivë me COVID-19.
Të hënën, Komisioni këshillëdhënës për masat kundërCOVID-19 ka mbajtur takim për situatën epidemiologjike në vend dhe shqyrtimin e masave antiCOVID në fuqi.
Siç është bërë e ditur në këtë takim është theksuar nevoja e respektimit të plotë të masave të ndërmarra më parë përmes mbikëqyrjes së zbatimit të tyre nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërkohë që popullatës i është bërë thirrje që të vaksinohen plotësisht përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.
Të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ndërkaq, dozën përforcuese dhe atë të tretë mund të marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç, që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh
Gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 1 mijë e 156 vaksina. Numri i të vaksinuarve me të dy dozat deri më tani është 796 mijë e 246, me dozë të tretë është 2 mijë e 169, ndërkaq me dozë përforcuese është 33 mijë e 156. Numri i dozave të administruara të vaksinës anti-COVID deri më tani është 1 milion e 717 mijë e 379./21Media