Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu thotë se Policisë së Kosovës nuk i lejohet qarkullimi në brendi të fshatit Karaçevë, meqë rruga Novosellë-Karaçevë është në territorin e kontestuar sipas marrëveshjes së Kumanovës. Në fshatin ku jo rrallë herë janë parë xhandarët serbë, ministri thekson se situata momentale është e qetë, por që duhet të mbahet nën kontroll nga organet e sigurisë.

Gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit, ai ka deklaruar se kanë pasur disa kërkesa për KFOR-in sa i përket patrullimit të përbashkët me ushtrinë serbe në vijën kufitare.

Ai ka pohuar se gjatë muajit të kaluar kanë qenë dëshmitarë të rastit të hyrjes së xhandarëve serbë në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Ai u zotua se kanë adresuar këtë çështje me urgjencë tek institucionet e sigurisë së Kosovës por edhe të KFOR-it.

“Bazuar në takimet e mia personale, raporteve të organeve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të KFOR-it dhe dëshmisë së qytetarëve kosovarë të asaj ane, mund të konfirmohet se me 7 gusht 2020 rreth orës 17:30 janë vërejtur lëvizje të forcave ushtarake serbe në dhe përreth territorit Karaçevë, komuna e Kamenicës”, ka deklaruar Veliu.

Sipas Veliut, xhandarët kanë lëvizur një kilometër, brenda territorit të Kosovës, dhe se përfaqësuesit të këtij fshati kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e tensionimit.

“Mos prezenca e policisë kufitare nga maji i vitit 2014, ka pamundësuar bashkëpunimin dhe kontaktet me qytetarët, këshillat e fshatit, por njëkohësisht janë shtuar aktivitetet kriminale, siç janë lojërat e fatit, kalimet ilegale, kontrabanda me mallra, si dhe prerjet ilegale të pyjeve. Kjo pjesë e vijës kufitare mbetet zonë ku më së shumti kryhen veprime të kontrabandës. Në përpjekje për t’i kapur të dyshuarit shpesh herë edhe është sulmuar policia kufitare. Keqbërësit kanë ikur në drejtim të Serbisë, ndërsa policia zakonisht ka arritur të konfiskojë vetëm mallin e kontrabanduar”, u shpreh Veliu.

Ndër tjera, Veliu gjatë seancës plenare tha se Policisë së Kosovës nuk i lejohet qarkullimi në brendi të fshatit Karaçevë, meqë rruga Novosellë-Karaçevë është në territorin e kontestuar sipas marrëveshjes së Kumanovës.

“Policisë së Kosovës nuk i lejohet qarkullimi në këtë pjesë, pasi që rruga Novosellë-Karaçevë është në territorin e kontestuar sipas marrëveshjes së Kumanovës, por policët zakonisht përdorin rrugë alternative për të dalur në fshatrat Karaçevë e poshtme, dhe Karaçevë e epërme. Kërkesë e përgjithshme e këtyre banorëve ishte që Policia dhe KFOR-i të patrullojnë në këtë pjesë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Vlerësimi i përgjithshëm tani është që situata momentale është e qetë, por që duhet të mbahet nën kontroll nga organet e sigurisë”, ka shtuar Veliu.

Ai tha se është takuar me komandantin, gjeneral-major Rissi, i cili kishte thënë që sipas rezolutës 1244, vija administrative nuk njihet si kufi. Ndër tjera se vija administrative është e definuar me marrëveshjen teknike ushtarake të Kumanovës.

Veliu ka thënë para deputetëve se kanë kërkuar nga KFOR-i që ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare.“Kërkuam njëkohësisht që sipas mundësive ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare si dhe që mundësisht të koordinohemi paraprakisht për aksione të tilla. U tha po ashtu se njëra nga shtyllat e kredibilitetit të KFOR-it është paanësia dhe se arsyja kryesore e aksioneve të sinkronizuara është ndërtimi i besimit të dyanshëm dhe shmangja e ndonjë incidenti të panevojshëm. Po ashtu u theksua që gjatë këtyre patrullimeve mund të ndodhë edhe shmangja nga vija e papërcaktuar për shkak të kushteve atmosferike që gjatë atyre ditëve kishte pasur të reshura të mëdha, të cilat edhe kishin pamundësuar mbajtjen e marshutës paraprakisht të përcaktuar”, theksoi ai.

Veliu tha se në këtë rast ishte thënë që kishte patrulluar vetëm ushtria serbe, e që një përshtypje e tillë ishte krijuar për shkak të veshjes së shiut. Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme theksoi se atë ditë ishin edhe ushtarët e KFOR-it.