Vendimi për dinarin, BE: Jemi të shqetësuar për pasojat, kjo çështje të përfshihet në dialog

Bashkimi Evropian sot ka reaguar përsëri lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot.
BE-ja sërish i ka kërkuar Kosovës të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas BE-së, periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e serbëve të Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?