Vlera e koeficientit të pagave sipas Hotit

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se vlera e koeficientit për rritjen e pagave duhet të jetë 125 euro.
Sipas tij çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.
“Bazuar në një llogaritje të thjeshtë: një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve. Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. “, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai po ashtu ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos caktimin e vlerës së koeficientit duke thënë se kjo përbën shkelje të të drejtave të punëtorit.
Ndërkaq ai ka dhënë edhe një propozim se sa duhet të jetë vlera e koeficientit për të ruajtur pagat për një rritje të arsyeshme të pagave.
“Pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016, kur u zbatua rritja prej 2% deri në 20% për shkak të viteve të përvojës së punës. Për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në nevojat për konsum të familjeve, si dhe inflacionit inercial për periudhën 2016-2021, është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10%. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2% në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10%, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro. [e njëjta përshtatje duhet të ndodhë edhe për skemat pensionet dhe të ndihmës sociale]. “, ka shkruar Hoti./21Media

Back to top button