Edicioni i katërt i kësaj iniciative

Edicioni i katërt i kësaj iniciative

Të veshur si babadimra me qindra persona vrapuan në mini maratonën “Vrapo Babadimër”, si rezultat i së cilës do të ndihmohen 700 familje në nevojë. Paratë e mbledhura nga shitja e kostumeve do të shkojnë për të blerë pako ushqimore dhe gjësende festive, për t’i dalë në ndihmë familjeve në nevojë gjatë festive të fundvitit.

Organizatori i nga OJQ “Projekti 5Cent”, Jusuf Islami, tha se këtë vit po shënohet edicioni i katërt i kësaj iniciative, për çka sipas tij janë kaluar të gjitha pritshmëritë.

“I kemi kaluar pritshmëritë që i kemi pasur, këtë vit janë dy mijë babadimra, qysh kemi filluar me 150 në edicionin e parë, prej neve po them që është vetëm 150 familje. Por këtë vit do të ndihmojmë 700 familje që do t’iu jepim gëzim dhe buzëqeshje në familjet e tyre. Përveç se po përfitojnë familjet edhe po iu dalim në ndihmë janë edhe shumë babadimra, nënadimra, gjysh e gjyshe që janë duke u kënaqur edhe me të vërtetë ke një atmosferë e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Ai shpreson se në vitin e ardhshëm, kur do të jetë edicioni i pestë i kësaj iniciative, do të ketë edhe shumë vullnetarë të tjerë të cilët do të marrin pjesë në mini maratonën “Vrapo Babadimër”.

Liza Gjanbazi, tetë vjeçare e di mirë pse sot është bërë pjesë e këtij vrapimi.

“Ne kemi me vrapu atje për bamirësi, që ata njerëz që kanë nevojë me ju shpërnda”, tha ajo.

Pas përfundimit të mini maratonës, nga sheshi “Zahir Pajaziti”, u shpërblyen fituesit nga fëmijët dhe të rriturit.

Njomza Rrahmani ka fituar vendin e parë në kategorinë e vajzave.

“Po ndjehem mirë pasi ka qenë garë humanitare…jam me djemtë e axhit edhe motrën e vogël”, tha ajo.

E në mesin e pjesëmarrësve pati edhe fëmijë me nevoja të veçanta. Po ashtu, u ndanë certifikata edhe për kompanitë dhe institucionet që përkrahën maratonën.

Duke iu bashkangjitur këtij aktiviteti, Kosova bën pjesë në 60 vende të botës në të cilat mbahet kjo minimaratonë me karakter bamirësie.