Vritet një person në Kaçanik

Një person është gjetur i vrarë mbrëmë rreth orës 23: 50 në Kaçanik njofton policia e Kosovës.
“Me datën 23.01.2023 rreth orës 23:50 policia e stacionit në Kaçanik ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër një automjet i udhëtarëve ishte jashtë rrugës. Policia e stacionit në Kaçanik menjëherë i ka marrë masat e nevojshme, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe policët kanë vërejtur se një person në ulësen e parë të shoferit dyshohej se ishte pa shenja jete”:, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu bëhet e ditur se në fshatin Soponiceë të Kaçanikut afër autostradës një automjet tjetër i udhëtareve ishte përfshirë nga flaka. Ekipet zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin.
“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të
Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka , ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën
automjetit dhe janë larguar. Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës N.C (M/K) i moshës 48 vjeçar dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion .”
Policia njofton se rasti është duke u hetuar.
“Ekipe të Policisë Rajonale të Ferizajt nga sektorë të ndryshëm po punojnë vazhdimisht në grumbullimin e informacioneve në terren për të zbardhur sa më shpejtë rastin .Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button