Vullkani në Islandë, derdh llavë në qytet duke ua vënë flakën shtëpive

Një vullkan në gadishullin Reykjanes shpërtheu në orët e para të së dielës, duke derdhur lavë në qytetin e peshkimit.

Shpërthimi po rezulton të jetë “skenari më i keq” sipas një eksperti, me të gjithë popullsinë e qytetit duke u evakuuar.

Mbrojtjet e ndërtuara pas një shpërthimi në dhjetor kanë mbajtur pjesërisht llavën, por disa janë thyer.

Rruga kryesore për në qytet është ndërprerë nga rrjedha e llavës.

Duke iu drejtuar kombit në një transmetim të drejtpërdrejtë të dielën në mbrëmje, presidenti i Islandës Gudni Johannesson u bëri thirrje njerëzve që “të qëndrojnë së bashku dhe të kenë dhembshuri për ata që nuk mund të jenë në shtëpitë e tyre”.

Ai tha se shpresonte se situata do të qetësohej, por se “çdo gjë mund të ndodhë”, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

Nuk kishte asnjë indikacion për ndërprerje të fluturimeve të brendshme apo ndërkombëtare pas shpërthimit.

Fluturimet nga aeroporti i afërt Keflavik po funksiononin normalisht të hënën në mëngjes.

Njerëzit që ishin kthyer në Grindavik, në Islandën jug-perëndimore, pas shpërthimit të mëparshëm u detyruan të linin shtëpitë e tyre edhe një herë.

Gazetari shkencor dhe vullkanologu Robin Andrews tha se shpërthimi i vazhdueshëm është një “situatë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e dëmshme” tani që lava ka hyrë në qytet.

Ai paralajmëroi se pasojat e shpërthimit mund të rezultojnë “mjaft problematike” për njerëzit me probleme para-ekzistuese të frymëmarrjes, sepse aktiviteti vullkanik lëshon gazra të tillë si dioksidi i squfurit, i cili është një irritues për lëkurën, sytë, hundën dhe fytin.

Kryeministrja Katrín Jakobsdóttir tha se qeveria do të mblidhet të hënën për të diskutuar masat e strehimit për banorët e evakuuar.

“Sot është një ditë e zezë për Grindavik dhe sot është një ditë e zezë për të gjithë Islandën, por dielli do të lindë përsëri”, tha ajo.

Niveli i alarmit të vendit është ngritur në “emergjencë” – më i larti i shkallës me tre nivele që sinjalizon se mund të ketë një kërcënim për dëmtim të njerëzve, komuniteteve, pronës ose mjedisit.

Shpërthimi i së dielës është i pesti që ka ndodhur përgjatë gadishullit Reykjanes që nga viti 2021.

Islanda ndodhet mbi atë që njihet si Ridge Mid-Atlantic, kufiri midis pllakave tektonike Euroaziatike dhe Amerikës së Veriut – dy nga më të mëdhatë në planet. Islanda ka 33 sisteme vullkanike aktive./21Media

Back to top button