VV dhe LDK me platformë të përbashkët për dialogun me Serbinë

Pesë pikat e përbashkëta të Kurtit dhe Mustafës për dialogun e Kosovës me Serbinë

“Në harmoni me politikat dhe qëndrimet e tyre, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do të angazhohen për shtetin e pavarur të Kosovës, si republikë parlamentare me integritet territorial dhe institucional, me sovranitet shtetëror dhe kufij të pacenueshëm”. Kështu bëhet e ditur në një komunikatë të VV-së.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, siç ceket në komunikatë, ka vlerësuar se negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik.

“Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ushtron autoritetin e përcaktimit të asaj çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, përmes një vendimmarrje transparente dhe më së paku një shumice të kualifikuar prej 2/3. Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri e cila ka legjimitet politik dhe e përfaqëson shumicën parlamentare. Platforma me qëllime dhe parime duhet të jetë legjitime po ashtu përmes një shumice të kualifikuar prej 2/3 e deputetëve të Kuvendit”, bëhet e ditur në komunikatë.

Po ashtu, është vlerësuar se duhet trajtuar 33 marrëveshjet e arritura deri më tani, përkatësisht realizimin, zbatimin dhe ndikimin e tyre.

“Presidenti i Republikës duhet të sillet në harmoni me Kushtetutën, ai nuk gëzon asnjë autoritet për të negociuar aspekte ndërshtetërore me Serbinë, për faktin që ato prekin esencën e parimeve të demokracisë kushtetuese në Kosovë”, është bërë e ditur ndër të tjera në komunikatën e VV-së.

Sipas, krerëve të dy partive opozitare, negociimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë.

“Një marrëveshje me Serbinë nuk mund të shihet në asnjë prizëm tjetër përpos në atë të njohjes që Kosova gëzon në mënyrë implicite në veton e saj ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila është qartazi e përcaktuar në Kapitullin 35 dhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian. Kosova do të ketë koordinim të plotë dhe mirënjohje për pozicionin e ShBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. Kosova do të njeh përjetësisht kontributin e këtyre shteteve dhe përfaqësive e misioneve të tyre në shtetndërtimin në Kosovë, dhe, do të kërkojë ndihmë prej të njëjtëve për ta fuqizuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare””, është theksuar më tutje në komunikatën e VV-së.

Sipas vlerësimit të dy liderëve opozitar, thirrja e një konference ndërkombëtare do të jetë e panevojshme dhe e papranueshme, meqenëse, sipas tyre do të hapte rrugë për ndërhyrje të Rusisë dhe Kinës në një proces të pavarësimit të Kosovës.

“Kosova është shtet i pavarur dhe shtetësia e saj nuk mund të rinegociohet në asnjë element përbërës të saj. Kosova do të mbetet shtet i tillë në të drejtën ndërkombëtare me apo pa njohjen e Serbisë. Askush nuk mund ta rivlerësojë atributin e shtetit të Kosovës si produkt i rezistencës dhe luftës së popullit për liri, intervenimit të NATO-s dhe konsensusit të prerë të demokracive perëndimore për një gjë të tillë”, është vlerësuar më tutje nga dy liderët opozitar, Mustafa dhe Kurti, është theksuar më tutje në komunikatën e VV-së.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa janë takuar dje, por deri më tani nuk është prononcuar askush nga LDK-ja për këtë takim./21Media

Back to top button