VV: Vuçiqi bën kërkesa, Qeveria Hoti i zbaton

 

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Qeverinë Hoti për ndërprerjen e punimeve në aksin rrugor Deçan – Plavë, meqë sipas VV-së kjo ishte kërkesë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e u zbatua nga Qeveria Hoti. Sipas VV-së, tashmë kjo Qeveri e ka bërë të zakonshme t’i zbatojë kërkesat e Serbisë.

“Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës. Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën.”, thuhet në reagimin e VV-së.

Duke kujtuar se banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare, Lëvizja Vetëvendosje thekson se Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, e që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës, andaj konfliktet e tilla nuk ka arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore.

“Banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare. Ndërsa Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës. Konfliktet e tilla nuk ka arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore, institucionet e Kosovës duhet të gjejnë kompromisin e pranueshëm për palët, dhe të vazhdojnë punimet. Por një qeveri e varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e cila shquhet për paaftësinë e saj, në çdo rast po krijon mundësinë që Serbia të ndërhyjë në Kosovë.”, thuhet më tej në reagimin e VV-së.

VV-ja konsideron që kjo Qeveri duhet të largohet dhe të rikthehet sipas tyre qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz.

“Kjo qeveri duhet të lëshojë udhë, edhe për të mirën e banorëve të Deçanit e Plavës, edhe për të mirën e Kosovës. Çdo ditë që kalon, bëhet shumë vonë. Nuk kemi kohë për të humbur me politikanët dhe politikat e 20 viteve të fundit. Duhet të rikthehemi te qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz.”, përfundon reagimi i VV-së./21Media

Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë. Kështu ndodhi edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor…

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Sunday, August 16, 2020

Back to top button