Ymeri: Mbajtja e Ramushit ishte padrejtësi edhe ndaj UÇK-së

Sipas Ymerit fletarrestet ndaj Haradinajt por edhe ndaj atyre që luftuan për çlirim duhet të përfundojnë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, me rastin e lirimit të ish kryeministrit, Ramush Haradinajt është shprehur se lajmi për lirimin e tij është një lajm i mirë për Kosovën dhe kombin shqiptar.

Ai përmes një postimi në facebook shprehet se ndalimi i tij ishte padrejtësi edhe ndaj UÇK-së.

”Ndalimi në Francë dhe mbajtja e tij për muaj të tërë ishte padrejtësi jo vetëm ndaj Ramushit, por ndaj gjithë luftës çlirimtare të UÇK-së. Republika e Kosovës është shtet i pavarur nga Serbia. Fletë-arrestet e kësaj të fundit ndaj gjithë atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës duhet të marrin fund. Qeveria duhet ta kërkojë urgjentisht një gjë të tillë”, ka shkruar Ymeri në facebook.

Ramush Haradinaj sot nga ora 19:00 do të pritet në mënyrë madhështore në Sheshin ”Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Gjykata në Colmar të Francës ka vendosur që ta lirojë ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj. Gjykata ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt, kështu ai është liruar. Mbi të rëndonin akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhet, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.

Në gjykatë ishin shkuar zyrtarë të vendit, ndërkohë që jasht saj, u mblodhën një numër i madh i qytetarëve, të cilët e prisnin daljen e Haradinajt. Kreu i AAK-së u ndalua në aeroportin e Bazelit në janar të këtij vitit nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia për, siç thuhet, krime lufte në Kosovë./21Media

Back to top button