Zaev paraqiti programin e Qeverisë së Maqedonisë

Disa e mbrojtën, disa me akuza!

Pas një muaji pushim, të zgjedhurit e popullit u rikthyen në karriget e deputetëve, por këtë herë me role dhe pozicione të ndryshme. Pas më shumë se një dekade, LSDM-ja është rikthyer tek karriget e shumicës parlamentare në Kuvend, ndërsa VMRO-DPMNE është ulur në karriget që dikur ishte në opozitë.

Seanca filloi me vonesë prej gjysmë ore dhe janë dashur vetëm pesë minuta që të shohim shpërthimin e shkëndijave gjatë komunikimit mes disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferit. Shkak për këtë, ishte fjalimi i kryeparlamentarit Xhaferi edhe në gjuhën shqipe. E kjo nxiti reagimin e deputetit Milloshoski.

“I respektuar deputet Talat Xhaferi. Së pari dëshiroj të theksoj një gjë, që nga fillimi i këtij Kuvendi dhe që nga fillimi i kësaj seance, ju po e shkelni Rregulloren dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve”, u shpreh Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE.

“Në secilin drejtim tuaj ndaj meje si ndaj një deputeti, do ta shfrytëzoj të drejtën time që t’ju përgjigjem si deputet. Për shkak se ju silleni në atë mënyrë”, tha Talat Xhaferi, kryepralamentar.

Në sallën e Kuvendit ishte i pranishëm edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai njësoj sikur bashkëpartiakët e tij u ul në pjesën e majtë të sallës, që është e rezervuar për opozitën. Para tij dhe para deputetëve të tjerë, mandatari Zoran Zaev nga foltorja e Kuvendit shpalosi programin qeveritar.

“Zero tolerancë për korrupsion. Zero tolerancë për krim. Zero tolerancë për “lidhje”. Erdhi koha që qytetarët të kenë qeveri. Erdhi koha për institucione. As një qeveri nuk shkon kundër interesave të qytetarëve të saj. Për këtë shkak do të jemi më vetëkritikë ndaj vetes se sa ndaj kundërshtarëve tanë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Sipas deputetit të BDI-së, Xhevat Ademi, në Qeverinë e re e cila më së voni deri më nesër në mesnatë duhet të votohet, nuk do të ketë revanshizëm.

“Do të jetë e suksesshme. Ju bëj thirrje që të gjithë ne të jemi pjesë e përrallës së suksesshme, e quajtur Maqedoni demokratike”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI.

Lëvizja Besa, e cila nuk arriti marrëveshje me LSDM-në që të jetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar ka shprehur dëshpërim për një pjesë të kuadrove të propozuar.

“I respektuar zoti Zaev. Çfarë makinë për larje keni, me të cilën po i lani ata të korruptuarit dhe të inkriminuarit?”, shtoi Zekirija Ibrahimi, deputet i Lëvizjes Besa.

Propozimi me emra të cilët do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe programi i qeverisë së re, mandatari Zaev i ka dorëzuar në Kuvend në orët e vona të së dielës. Menjëherë më pas, kryeparlamentari e caktoi seancën e sotme, por deputetët e VMRO-DPMNE-së u ankuan se propozimin për Qeverinë e re, ata e kanë marrë shumë vonë dhe nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme që ti shqyrtojnë propozimet për ministra dhe biografitë e tyre./21Media

 

Back to top button