Zgjedhjet presidenciale në Çeki shkojnë në balotazh

Ish-kryeministri, Andrej Babis dhe gjenerali në pension i NATO-s, Petr Pavel kryesuan raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Çeki të shtunën.
Pavel mori 35.4% të votave, një epërsi fare e lehtë ndaj Babis që mori 35%, ndërsa ekonomistja Danuse Nerudova doli e treta me 13.9%, sipas rezultateve pothuajse të plota nga Enti i Statistikave Çeke.
Asnjë nga pesë kandidatët e tjerë nuk fitoi më shumë se shtatë për qind.
Dy kandidatët Babis dhe Pavel tani shkojnë në balotazh më 27-28 janar në një përpjekje për të marrë postin e presidentit të katërt që nga themelimi i Republikës Çeke në 1993, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Fituesi do të zëvendësojë Milos Zemanin, një veteran politik me opinione të forta dhe që ka shkaktuar ndasi.
Kreu i ri i shtetit do të përballet me një inflacion rekord në vendin e Evropës Qendrore me 10.5 milionë banorë, si dhe me deficite të mëdha të financave publike në lidhje me konfliktin në Ukrainë.
Manjati i biznesit dhe ish-kryeministri Babis, 68-vjeç, është personi i pestë më i pasur në Republikën Çeke, sipas revistës Forbes.
Ish-gjenerali Pavel, 61, është dekoruar si hero në luftën serbo-kroate gjatë së cilës ai ndihmoi trupat franceze të dilnin nga një zonë lufte.
Ai u bë shefi i shtabit të përgjithshëm të Çekisë dhe kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s.

Back to top button