“Zgjoi” filmi më i mirë në festivalin gjerman në Brunswick

Pas premierës që pati në New York, filmi kosovar “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit ka marrë një tjetër çmim në Gjermani.
Filmi është shpërblyer me çmimin “Die Tilda” për ‘filmin më të mirë’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Braunshvajg. Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e filmit në Facebook.
Basholli përmes një video-mesazhi ka thënë se ajo ka një lidhje të veçantë me festivalin dhe me këtë qytet gjerman.
Ajo ka treguar se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka gjetur strehë si refugjate në Gjermani. Madje, Braunshvajgun, qytetin e dytë më të madh në Saksoninë e Ulët e kishte vizituar shpesh pasi që atje kishte dajën e saj dhe pikërisht ky qytet i jepte ndjesinë e shtëpisë.
“Ky çmim ka shumë rëndësi për mua, veçanërisht pasi që vjen nga edicioni i 35-të i Festivalit. Gjithashtu, të marrësh çmimin ‘Die Tilda’ është ndjenjë shumë e veçantë pasi që e kemi realizuar këtë film, duke mos e ditur se sa ndikim do të kemi te njerëzit. Rrëfimi i Fahrijes ishte mbresëlënës dhe ne kemi punuar me shumë pasion, prandaj është shpërblyese të shohësh reagimet pozitive që njerëzit po kanë karshi filmit”, ka thënë ajo.

Edicioni i 35-të i “Braunschweig International Film Festival” u mbajt në formatin hibrid: filmat u shfaqën në kinema dhe online. Në kategorinë “New International Cinema” bashkë me “Zgjoin” ishin edhe 19 filma të tjerë.
Filmi “Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë./21Media

Back to top button