ZRRE-ja e shtyn afatin për ofrimin e komenteve për tarifat

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) njoftoi se ka vendosur që ta zgjasë afatin për ofrimin e komenteve deri më 31 janar, lidhur me raportet e publikuara për konsultim publik.
Në një njoftim për media, ZRRE shkruan se këtu bëhet fjalë edhe për raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente në raportet e publikuara për konsultim publik: Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal, të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), dhe Raportin Konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë Ka vendosur që të zgjatë afatin për ofrimin e komenteve deri me datë 31 janar 2022 deri në 16:00h”, thuhet në njoftim.

Palët që dëshirojnë të shprehin komentet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐tariffs@ero‐ks.org /21Media
Back to top button