Dy shkolla bojkotojnë grevën, reagon SBASHK-u

SBASHK-u kërkon nga kryetarët e komunave mos të bëjnë presion për ndërprerje të grevës

Në ditën e shtatë të grevës, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka reaguar rreth bojkotimit të grevës nga dy shkollat: “Heronjët e Dukagjinit” në Gllogjan dhe “Dëshmorët e Vokshit” në fshatin Pobërgj.

“Edhe përkundër presioneve të mëdha në disa komuna,  e sidomos presion i madh që është duke u bërë në komunën e Deçanit,  edhe dita e shtatë e grevës së punonjësve  arsimor është mbajtur në të gjitha komunat në përjashtim të shkollës “Heronjët e Dukagjinit “ në Gllogjan, e cila numëron 15 anëtarë,  edhe në shkollën “Dëshmoret e Vokshit” në fshatin Pobërgj  një mësimdhënëse ka tentuar të mbaj orën e parë, e cila pastaj iu  ka bashkangjitur grevës në komunën e Deçanit.”, bëhet e ditur në komunikatën e SBASHK-ut.

Ndër të tjera SBASHK ka bërë apel te kryetarët e komunave si dhe drejtoritë e arsimit që të mos bëjnë presion për thyerje të grevës në komunat e tyre dhe të mos përfshihen në “konflikt” derisa ata s’kanë mundësi të zgjedhjes së kërkesave të shtruara që vlejnë për të gjithë territorin e Kosovës.

“Njëherit  kërkojmë nga ata,  që para se ti ftojnë Këshillin Grevist   në biseda “informative” ti lexojnë ligjet mbi organizimin sindikal, ligjin e grevës dhe statutin e SBASHK-ut dhe nga ato mund të marrin informata   të  sakta,  se greva është e shpallur në nivel vendi dhe këtë të drejt të shpalljes së grevës e ka pas Këshilli Drejtues i SBASHK-ut,  i  cili është i vetmi organ legjitim që mund ta përfundon grevën ne rast se janë plotësuar kërkesat.”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

SBASHK-u përmes kësaj komunikate, kërkon që të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve dhe thyerja eventuale e grevës në ndonjë komunë nuk do të kontribuoj në mbarëvajtje të procesit mësimor të mirëfilltë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot në një konferencë për media, ka komentuar grevën e cila po vazhdon edhe pas ofertës së tij për rritje pagash.

“Greva është e drejtë e të gjithve në bazë të ligjit, oferta nuk është e imja, është e Kosovës është një rritje substanciale dhe e rrespektueshme kërkesa ime është të rikthehet procesi mësimor që të mos i humbim kohë fëmijëve, do të ishte racionale kthimi në mësim që nesër”, ka thënë Haradinaj. /21Media

Back to top button