Haradinaj: Amerika flet vetë, as presidenti, as unë nuk jemi zëdhënës të saj

Haradinaj tregon se çka u diskutua në takim

Me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur krerët e shtetit, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli e Fatmir Limaj.

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj pas takimit para gazetarëve ka thënë se në takim u diskutua për platformën, për të cilën e ka ripotencuar se platforma është dokument i qëndrueshëm dhe garancë e mirë për Kosovën. Haradinaj i ka dhënë mbështetje të plotë platformës.

“Përfundimisht kemi një dakordim për platformën e Kosovës në dialog. Mendoj që platforma është një dokument i qëndrueshëm, i parimeve por edhe i qëllimeve që ka Kosova në dialog, buron nga Kushtetuta, mbron Kushtetutën e vendit dhe personalisht i japi përkrahje”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, i pyetur se a kanë diskutuar për taksën, Haradinaj ka thënë se në këtë takim nuk ka arritur të flas për këtë çështje.

Ndërkohë lidhur me deklaratën e kreut të shtetit, Hashim Thaçit se taksa prish raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Haradinaj ka thënë se “Amerika flet vetë, as presidenti, as unë, as dikush tjetër nuk është zëdhënës i Amerikës. Nuk kanë nevojë me fol për ta. Ata flasin vetë, dinë me fol, i spjegojnë gjanat”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje ka bërë thirrje që të pezullohet taksa me Serbinë. Ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet për t’u ruajtur partneriteti me SHBA-në.

Ndërkohë, ekipi negociator sot në orën 15:00 do të mbajë takimin e radhës, në të cilin pritet ta miratojë platformën për dialogun me Serbinë./21Media

Back to top button