Haradinaj: Nga 15 dhjetori nuk do të ketë më reduktime

Sipas Haradinajt, reduktimet e energjisë elektrike janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka reaguar sërish lidhur me reduktimet e energjisë elektrike. Sipas Haradinajt, reduktimet e energjisë elektrike janë të papranueshme  dhe nuk do të tolerohen, sidomos gjatë periudhës së dimrit.

“Reduktimet e energjisë elektrike, janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen, sidomos tani gjatë periudhës së dimrit. Në takim pune me përfaqësuesit e KEK-ut, KEDS-it dhe ZRRE-së, kam kërkuar zgjidhje të menjëhershme që të sigurohet stabilitet në furnizim me energji elektrike. Me këtë rast, u sigurova se Blloku B1 do të rifunksionalizohet dhe nga 15 dhjetori do të ketë normalizim të plotë në furnizim.”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Më 27 nëntor KEDS/KESCO përmes një komunikate ka bërë të ditur se situata me energji elektrike vazhdon të jetë jo-stabile që nga e mërkura. Sipas KEDS/KESCO, edhe pse për momentin nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike, ende sistemi energjetik ballafaqohet me prodhim të pakët vendor i bazuar në vetëm dy blloqe, A4 dhe B2, si dhe i varur nga importi i cili vazhdon të mbulojë rreth 50% të konsumit.

Lidhur me këtë ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës, e cila u shpreh se KEDS/KESCO po tenton t’i mashtrojë qytetarët në vend që t’i furnizoj me rrymë. Sipas komunikatës së KEK-ut, KEDS/KESCO ka përgjegjësi ligjore furnizimin 100% të qytetarëve me energji elektrike./21Media

Back to top button