Haradinaj përsëritë përkushtimin për ringjalljen e “Trepçës”

Kryeministri takon Bordin e Trepçës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se me Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës” janë dakorduar për hartimin e statutit të kësaj ndërmarrjeje.

Haradinaj përmes një publikimi të bërë në rrjetin social Facebook, ka shprehur përkushtimin e ekzekutivit për ringjalljen e “Trepçës”.

“Me Bordin Mbikëqyrës të Trepçës u dakorduam për hapat e mëtejmë të konsolidimit të menaxhmentit dhe për hartimin sa më të shpejt të statutit të “Trepçës”. Qeveria është e përkushtuar që Trepça të ringjallet dhe të kthehet në shërbim të zhvillimit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj edhe në muajin e kaluar kishte zhvilluar një takim me anëtaret e Bordit të Trepçës, më këtë rast Haradinaj ishte shprehur optimist se viti 2018 do të jetë vit i Trepçës.

I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës, që është bërë në vitin 1992, pati vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë. Trepça sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Ndryshe me 4 prill të këtij viti Qeveria ka emëruar anëtarët e rinj të Bordeve të Këshillit të Cilësisë dhe të Trepçës. Anëtarët e rinj të bordit mbikëqyrës janë: Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci./21Media

 

Back to top button