Lushtaku: Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe çlirimtare

Lushtaku falënderoi të gjithë ata që i ofruan mbështetje

Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku më 16 janar është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Por, pas intervistimit Lushtaku nuk ka dhënë asnjë deklaratë.

Mirëpo, përmes një postimi të bërë së fundmi në Facebook, Lushtaku ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën atë. Ndër të tjera, ish- komnadanti i Zonës operative të Drenicës ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e tillë do të mbetet.

“Dëshiroj nga zemra të falënderoj secilin nga Ju, për thirrjet, mesazhet, komentet e mbështetjen e madhe e të parezervë që më keni dhënë gjatë ditëve të fundit, lidhur me intervistimin tim në Hagë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe çlirimtare, e tillë do mbetet edhe në të ardhmen! I juaji, Sami Lushtaku”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Në Gjykatën Speciale në Hagë është intervistuar edhe ish- komandantit i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa.  Gjithsej, njëmbëdhjetë ish-luftëtarë të UÇK-së, janë ftuar për intervistë nga Prokuroria e Specializuar. Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000./21Media

Back to top button