Maloku: Mosdalja në zgjedhje rrezik për vendimmarrjet e ardhshme

Fadil Maloku tregon 7 pika të rrezikut nga mosdalja në zgjedhje

Sociologu Fadil Maloku në vazhdën e komenteve të tij për fushatën zgjedhore, kësaj radhe ka shkruar për daljen apo jo të qytetarëve në zgjedhje. Sipas tij mosdalja në zgjedhje, është rrezik real që ta rrisë dukshëm ndikimin e grupeve klienteliste në vendimmarrjet e ardhshme politike.

”1. Dalja në gjitha zgjedhjet e deritanishme në Kosovë, pothuajse gjithnjë është përcjell me një trend të rënies (përjashtim bëjnë vetëm zgjedhjet e para të pasluftës, kur deliriumi i vetëkënaqësisë ishte kulminat edhe shkaku i çlirimit të Kosovës!), apo procesi abstenimi të qytetarëve në zgjedhje.

2. Shqetësimi ynë, nuk do ishte aq alarmues ndoshta, sikur mosdalja apo abstenimi brengosës i qytetarëve kosovar, të ndërlidhej me indiferencën dhe apatinë publike politike në vend, dhe me sfidat (demarkacioni, asociacioni, Gjykata Speciale, Ushtria..etj.!)që e presin Kosovën pas krijimit të këtij Parlamenti dhe Qeverie.

3. Sipas “dioptrive” partiake, në zgjedhjet e sivjetme, ka indikacione evidente që trendi i daljes në votime të rritet, shkaku i një mobiliteti të ri (social, politik dhe sish ekonomik), por, edhe shkaku i rrethanave të reja që u krijuan me fuzionimin partive politike në tri blloqe kryesore, në skenën politike kosovare.

4. Por, athua do të ndodhë kjo rritje e (“mbikëqyrur” dhe) e stimuluar nga stigmatizimet, mobilizimi, dhe “armiqësia” midis tyre? Në realitet, në jashtësi, fitohet përshtypja që njëmend partitë tona politike janë vërtetë të interesuara që pjesëmarrja në votime e qytetareve të rritet. Por, e vërteta është e kundërta: Ato, në fakt punojnë që rritja të ndodhë përmes shtimit të militantëve dhe klientelisteve partiak, e jo edhe qytetarëve në përgjithësi.

5. Sepse, mosdalja e qytetarëve (sipas kalkulimeve dhe ekspertizave të tyre!) në zgjedhje, dosido e rritë ndikimin e grupeve militante dhe klienteliste të subjekteve politike në vendimmarrjet e ardhshme politike, si edhe e fuqizon vendimmarrjen dhe kompetencën politike të tri pozitave kyçe në hierarkinë e shtetndërtimit!

6. (Mos)dalja në zgjedhje, sipas përvojave të pesë palë zgjedhjeve që i ka pas Kosova, mund të analizohet nga disa këndvështrime: a/Këndvështrimi SOCIAL; që ka të bëjë me dëshmimin se vërtetë po konsolidohemi, edhe: demokraci e re dhe në ekspansion, por, edhe si shtet. b/Këndvështrimi POLITIK, që ka të bëjë kryesisht me inercionin e (mos)interesimit që e kanë qytetarët me dal në votime! Ngase, kështu dukshëm u ngushtohet laku, partive politike që ata t’i votojnë vetëm militantët e vetë partiak dhe grupet e tyre klienteliste. c/Këndvështrimi EKONOMIK, që ka të bëjë kryesisht me leverdinë pragmatike të shtetit dhe institucioneve tjera sociale.

7. Realisht këto këndvështrime shkojnë në favor tê pjekurisë së asaj që unë e identifikojë si “nivel i duhur emancipimi politik” tek qytetarët kosovar!”, ka shkruar Maloku./21Media

Back to top button