Mustafa: Kosova meriton vëmendje më të madhe nga BE-ja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Maltë

Gjatë punimeve të Kongresit, kryeministri Isa Mustafa sot ka mbajtur një fjalim para rreth 2500 pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete, përfshirë kryeministra e presidentë të shteteve më të fuqishme evropiane.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ashtu sikur se edhe për të gjitha partitë në Kosovë, Evropa nuk ka alternativë tjetër. Në një kohë kur Euro-skepticizmi është në rritje, slogani ynë vazhdon të mbetet ‘Kthimi në Evropë’. Vazhdojmë të besojmë në të ardhmen e përbashkët evropiane. Sidoqoftë, më duhet të theksoj që stabiliteti i rajonit tonë varet në masë të madhe nga gatishmëria e Bashkimit Evropian, që t’i mbajë dyert e hapura për ne. Ne na duhen mesazhe të qarta dhe të prekshme nga Bashkimi Evropian për të ardhmen tonë të përbashkët. Paqja dhe stabiliteti i Evropës sigurohet vetëm atëherë kur Evropa të jetë e plotë, vetëm atëherë kur shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i jenë bashkuar Bashkimit Evropian”, tha Mustafa.

Mustafa shtoi se Kosova ka përqafuar vlerat evropiane dhe është e përkushtuar që t’i fuqizojmë ato edhe më tutje. “Kosova është duke e implementuar suksesshëm Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian. Jemi duke bërë hapa të mëdhenj drejt implementimit të Agjendës Evropiane për Reforma në konkurrencë, zbatim të ligjit, tregun e punës dhe arsim. Shpejtë, shpresojmë të aplikojmë për statusin e shtetit kandidat në BE, për të cilën besojmë në përkrahjen tuaj”, tha kryetari i LDK-së.

Ai vlerësoi po ashtu se Kosova meriton vëmendje më të madhe nga Bashkimi Evropian, ajo e meriton përkrahjen e BE-së.

“Por një pengesë e madhe vazhdon të na pengojë që të ndjehemi plotësisht evropian, ne jemi i vetmi vend në Evropë të cilit i është mohuar liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian! Si përfundim, do të doja ta shfrytëzoj platformën e EPP-së, që ta ftoj Bashkimin Evropian që të jetë më i pranishëm në Kosovë dhe t’i hapë dyert për Kosovën. Jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë me të gjitha shtetet që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, në veçanti me pesë shtetet anëtare të BE-së. Shpresojmë në përkrahjen e Partive Popullore Evropiane që të na ndihmojnë në marrjen e më shumë njohjeve për shtetin tonë”, tha ndër të tjera Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë Kongresit të mbajtur sot në Maltë.

Back to top button