Përfituese nga projekti banesor janë ata persona që punojnë në sektorin publik

Përfituese nga projekti banesor janë ata persona që punojnë në sektorin publik

Në fillim të vitit të ardhshëm nis ndërtimi i kompleksit banesor për punëtorët e sektorit publik.

Komuna e Prishtinës sot ka prezantuar projektin “Banimi i Përballueshëm” i cili parashihet te ndërtohet në Bernicë dhe përfitues nga ky kompleks banesor do jenë punëtorët e sektorit publik.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti lidhur me këtë projekt tha se nuk ka projekt më të madh se projekti me kosto të përballueshme që parashihet te ndërtohet në Bernicë, dhe se një mundësi e tillë e banimit mund të aplikohet në gjithë Kosovën.

Sipas tij, familjet përfituese nga projekti banesor janë ata persona që punojnë në sektorin publik që nuk e kanë te zgjidhur çështjen e banimit.

“Në nëntor të këtij vitit do të shpallet konkursi se kush mund ta gëzoj këtë banesë. Po e bëjmë në këtë fushatë sepse po duam të tregojmë që ky model mund të aplikohet në të gjitha komunat është mëkat që nuk keni menduar për banesa publike. Kemi filluar këtë projekt në bashkëpunim me ndërmarrjen publike banesore që është ndër ndërmarrjet më te suksesshme në Kosovë që rinovon hyrjet e ndërtesave”, tha ai.

Sipas Ahmetit, janë në dispozicion 600-700 banesa, të mjaftueshme për famijë me tre fëmijë, ndërsa tha se ndërtimi do të nis në fillim të vitit të ardhshëm.

Drejtori i Mirëqenies Sociale Dren Kukaj, tha se për projektin me kosto të përballueshme janë analizuar edhe lagje të tjera të Prishtinës. Sipas tij kriteret për tu bërë fitues i këtij projekti janë: të mos kenë të zgjidhur çështjen e banimit, ata të cilët kanë kanë kushte të vështira ekonomike, familjet e reja do të kenë më shumë përparësi, si dhe pikë shtesë do marrin gratë dhe nenat vetëushqyese.