New York: Ngasësi kishte “dëgjuar zëra” para kryerjes së sulmit

Sulmi në New York

Personi i cili ngau veturën drejt turmës së këmbësorëve në sheshin ‘Times Square’ në New York, duke vrarë një person dhe plagosur 22 të tjerë, tha se “ka dëgjuar zëra” në momentin e incidentit.

Richard Rojas, 26 vjeçar, veteran i marinës amerikane i cili edhe në të kaluarën ishte arrestuar dy herë për ngasje të veturës nën ndikim të alkoolit, tani ndodhet nën arrest. Ai tha po ashtu se kishte pritur të vdiste në aksidentin e mbrëmshëm në New York, shkruan rtv21.tv

“Ju është dashur të më vrisni. Unë desha t’i mbysja ata”, është raportuar të ketë thënë Rojas pas arrestimit.

Ai akuzohet për vrasje të shkallës së dytë, si dhe për tentativë për të kryer vrasje të shumëfishtë.

E reja që vdiq në këtë sulm ishte Alisa Elsman, 18 vjeçare, ndërkohë që motra e saj 13 vjeçare mbeti e lënduar bashkë me 22 persona të tjerë.

Rrugët në zonën turistike ‘Times Square’, ishin të mbushura me vizitorë në kohën kur vetura e tipit Honda me ngjyrë të kuqe, ngau me shpejtësi përgjatë tri blloqeve të trotuarit, duke shkelur kalimtarë të rastit deri sa u përplas në një shtyllë. Dëshmitarët thanë se e kanë dëgjuar sulmuesin duke bërtitur dhe duke i mbajtur krahët me duar.

Fillimisht u druajt për ndonjë sulm të mundshëm terrorist, siç ishin sulmet me automjete në Londër, Nicë dhe Berlin, por autoritetet shumë shpejt e përjashtuan këtë mundësi, me bashkiakun e New York-ut Bill De Blasio i cili tha se nuk kishte asnjë indikacion, që incidenti të ishte një akt terrorizmi./21Media

Back to top button