“Pajisjet teknologjike që do t’i përdorin ushtarët e Kosovës do të jenë amerikane”

Thaçi: Misioni dhe mandati i ri i FSK-së është bërë në koordinim të ngushtë me SHBA-në

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se edhe pajisjet teknologjike që do t’i përdorin ushtarët e Kosovës do të jenë amerikane.

“Misioni dhe mandati i ri i FSK-së është bërë në koordinim të plotë dhe të ngushtë me SHBA-në. Edhe teknologjia e pajisjet që do t’i përdorin ushtarët e Kosovës do të jenë amerikane.”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kjo deklaratë vjen pas vizitës së presidentit Thaçi në kompaninë “Boeing”.

“Në selinë e kompanisë lidere në botë “Boeing”, sot pash të arriturat e saj dhe kërkuam mundësi për bashkëpunim në zhvillimin e FSK-së dhe rritjen e kapaciteteve të përgjithshme mbrojtëse të Kosovës. Edhe në “Boeing” takova miq të Kosovës, që kanë punuar e shërbyer në vendin tonë.”, thuhet në statusin e Thaçit në rrjetin social, Facebook.

Po ashtu sot presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button