Rama betohet si ministër i Jashtëm

Rama mori nga kreu i shtetit dekretin për detyrën e re

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka humbur kohë. Pak pas kthimit në Tiranë të Ilir Metës nga vizita zyrtare dy ditore në Malin e Zi, shefi i qeverisë ka vizituar mbrëmë selinë e presidencës.

Këtë radhë Rama nuk ka hyrë në zyrën e kreut të shtetit për të diskutuar dekretet, por për tu betuar si ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas votimit të hënën në parlament.

Pas leximit të formulës dhe vendosjes së dorës mbi kushtetutë, Rama ka marrë nga kreu i shtetit dekretin për detyrën e re.

Zyra e presidentit të republikës ka nënvizuar në njoftimin e saj se presidenti, Meta i ka uruar Ramës, suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës. E gjithë ceremonia e betimit në presidencë ka zgjatur vetëm pak minuta.

Marrja e detyrës së ministrit të Jashtëm nga Edi Rama ka ardhur pas refuzimit të presidentit për të dekretuar, Gent Cakajn në krye të diplomacisë.

Kreu i shtetit e ka quajtur të papërshtatshme kandidaturën e Ramës, ndërkohë që kryeministri ka thënë se presidenti kishte shkelur kushtetutën, një përplasje kjo që pritet të përfundojë në gjykatën kushtetuese, sapo ajo të jetë funksionale, raporton Vizionplus.

Back to top button