Rritet numri i të ardhurve nga Shqipëria në Malishevë

Të gjitha këto familje janë strehuar në shtëpitë private të banorëve

Numri i personave dhe familjeve të cilat janë zhvendosur nga Shqipëria, kryesisht zona e Durrësit dhe po strehohen në Malishevë, po vazhdon të rritet.

Sipas një njoftimi të Komunës së Malishevës, të gjitha këto familje janë strehuar në shtëpitë e banorëve të Komunës së Malishevës, ndërsa komuna së bashku me shërbimet tjera është duke iu ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme.

“Krahas evidentimit të personave të cilët janë strehuar, ju është ofruar edhe pako ushqimore dhe higjienike, si dhe shërbimet e nevojshme shëndetësore, nga ekipet e shërbimit shëndetësor në Malishevë. Krahas shërbimit shëndetësor, edhe organizata humanitare “Nëna Terezë”, gjithashtu është duke mbështetjen e saj”, thuhet tutje në njoftim.

Ekipet përgjegjëse komunale, janë në shërbim për ofrimin e mbështetjes së duhur për të gjithë të zhvendosurit.

Tërmeti i 26 nëntorit la 51 persona të vdekur.

Mijëra njerëz nga Shqipëria tashmë kanë ardhur të strehohen në Kosovë. Vetëm në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren janë sistemuar mbi 500 persona./21Media

Back to top button