GLPS dhe Çohu do të shpalosin të gjeturat e analizës ligjore

GLPS dhe Çohu do të shpalosin të gjeturat e analizës ligjore

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe organizata Çohu sot nga ora 11:00 organizojnë konferencën për media me temën “Përpjekje apo reformë: Ligji i ri për Qasje në Dokumente Publike”.

E drejta e qasjes në dokumente publike është e drejtë themelore e çdo njeriu dhe element thelbësor për një qeverisje të mirë. Zbatimi i të drejtës për t’u informuar konsiderohet parakusht për jetësimin e të drejtave të tjera. Për rregullimin më të mirë të kësaj fushe, është draftuar Ligji i ri për Qasje ne Dokumente publike i cili ka hyrë ne fuqi në Korrik të vitit 2019.

Në këtë konferencë, GLPS dhe Çohu do të shpalosin të gjeturat e analizës ligjore “Përpjekje apo Reformë?- Një analizë hyrëse e Ligjit të Ri mbi Qasjen në Dokumente Publike” dhe katalogut me përgjigjet sipas tyre më skandaloze të institucioneve publike.

Të gjeturat e analizës do të kenë fokusin në risitë e rregullimit të ri ligjor në këtë fushë, krahasimet me legjislacionet rajonale dhe ndërkombëtare si dhe krahasimin me ligjet vendore që ndërthuren në këtë fushë.

Ndërkaq të gjeturat e katalogut do të shërbejnë për përmirësimin e praktikave aktuale të qasjes në dokumente publike.

Po ashtu GLPS dhe Çohu do të ofrojnë një sërë rekomandimesh në mënyrë që të adresohen risitë, paqartësitë e paraqitura dhe të plotësohen të gjitha vakumet ligjore.