“Starlink” nga dhjetori në Kosovë, çfarë pritet nga ky anëtarësim?

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (tutje – ARKEP), më datë 18 Tetor 2024, ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink, një lider global për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Nazim Rahimi, në një prononcim për portalin rtv21.tv, tregon tarifat mujore nga shërbimet e internetit nga Starlink në Kosovë dhe përparësitë e këtij anëtarësimi.

“Bazuar në komunikimet me zyrtarë e Starlink, plani i tyre për të nisur zyrtarisht me ofrim të shërbimeve është muaji dhjetor 2024, por gjithsesi ky orar mund të ndryshojnë varësisht nga zhvillimet rreth importit të pajisjeve, taksave etj”, tregon Rahimi nga ARKEP.

Çka pritet të sjellë anëtarësimi i Kosovës nga Starlink?

“Ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avansimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territoririt të Republikës së Kosovës. Autorizimi i Starlink-ut në Republikën e Kosovës, ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudha të situatave emergjente dhe konfliktesh, për faktin që infrastruktura e Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në tokë’, tha Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Nazim Rahimi.

“Për sa i përket tarifave mujore për shërbime të internetit nga Starlink (fiks dhe celular) ato do të bazohen në fuqinë blerëse lokale të çdo vendi. Ju mund të shikoni tarifat në vende të ngjashme në linkun ëëë.starlink.com për të parë gamën e çmimeve. Çmimi zakonisht ka dy komponentë, një tarifë blerjeje hardueri (tarif e njëherëshme) dhe tarifën mujore të shërbimit të internetit. Ne konsiderojmë se tarifat duhet të jenë të përafërta me ato të vendeve të rajonit, p.sh. referuar çmimeve të aplikuara nga Starlink në Republikën e Shqipërisë, çmimi i blerjes së pajisjeve është rreth 500 Euro, ndërsa plani mujor për ofrim të shërbimit është rreth 65 Euro”, bënë të ditur Rahimi nga ARKEP për portalin rtv21.tv

Synimi i qasjes me internet nga Starlink sipas drejtuesit nga ARKEP është qasja me internet në të gjithë territorin e Kosovës.

“Ne besojmë se përparësi e Starlink është se ofron qasje në internet në çdo lokacion të territorit të Republikës së Kosovës, dhe kjo mundë të shfrytësohet nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, ato ushtarake dhe misionet e huaja, nga bizneset e ndryshme dhe ato të cilat menaxhojnë me infrastrukturë kritike si dhe nga qytetarët e vendit. Hyrja e kësaj kompanie në tregun vendor do të sjellë përfitime jo vetëm për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës por edhe rrit mbulueshmërinë e zonave të cilat nuk janë të mbuluara me infrastrukturë tokësore për shkak të konfiguracionit të terrenit si dhe krijimin e mundësive të reja për inovacion”, deklaron ai.

Profesori i telekomunikacionit Besnik Qehaja në lidhje me këtë çështje, thotë se kostoja e Starlink mund të ndryshojë sipas vendit dhe politikave lokale.

“Aktualisht, Starlink ka një kosto fillestare për pajisjet (satëlitorët) rreth 499–599 USD dhe një tarifë mujore për internetin që mund të variojë nga 100 deri në 120 USD në rajone të ndryshme. Këto kosto mund të ndryshojnë sipas vendit dhe politikave lokale, prandaj është e rëndësishme të ndjekim zhvillimet nga Starlink për çmime specifike për Kosovën, të cilat ende nuk janë bërë publike”, tha ai për portalin rtv21.

Çfarë është Starlink?

“Starlink ka objektiva të lidhura me kompaninë Tesla, veçanërisht për automjetet autonome, që në të ardhmen do të monitorohen nga ky rrjet. Qëllimi është t’u ofrohet qasje automjeteve më shumë se njerëzve, për rastin e Kosovës, pasi vendi ka mbulim të gjerë të rrjetit edhe në zonat rurale, gjë që e bën më pak të nevojshëm një shërbim të tillë”, tregon Qehaja.

Sa i përket vlerës së çmimit të pagesës së pajisjeve të Starlink në Kosovë, Qehaja thotë se Kosova nuk ka nevojë të madhe për një rrjet të tillë.

“Megjithatë, mendohet se çmimi do të jetë më i lartë se ai i ofruesve të shërbimeve të internetit në Kosovë. Kosova nuk ka një nevojë të madhe për një rrjet të tillë, pasi 98% e territorit të saj është i mbuluar me fibër optike, si dhe me rrjetet 4G+ dhe 5G nga operatorët mobil që veprojnë në Kosovë. Për Kosovën, Starlink nuk paraqet një vlerë të shtuar për shkak të çmimeve dhe pajisjeve që e shoqërojnë, por për kompaninë Tesla është e rëndësishme që çdo cep i botës të mbulohet nga rrjeti i tyre. Kjo ndihmon në shërbime si automjetet dhe pajisjet robotike dhe shërbime të tjera qeveritare amerikane, duke u siguruar qasje në një rrjet të kontrolluar nga autoritetet amerikane”, thekson ai. /21Media

Back to top button